Edhe 6 ditë afat për mandatarin e dytë, Jakaj: Gjasat për formimin e një qeverie të re janë minimale
Vonesat për të thirrur një seancë, në të cilën do të hidhej në votim mandatari i dytë për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, po konsiderohet se është një tregues se mungojnë votat për qeverinë “Konjufca” dhe se nuk ka koalicione të reja e as gatishmëri nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma që t’i ofrojnë mbështetje.
Kështu ka thënë Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Jakaj ka thënë se ndonëse kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë nga afati që LVV-ja të formojë qeverinë, megjithatë sipas tij gjasat janë minimale.
“Edhe gjashtë ditë afat për mandatarin e dytë, Glauk Konjufca, që ta propozojë kabinetin qeveritar dhe të kërkojë besimin e Kuvendit. Por gjasat për formimin e një qeverie të re janë minimale. Nuk ekziston një shumicë e re parlamentare që do t’i siguronte më shumë vota sesa i pati mandatar i parë, Albin Kurti. Kabineti që pritet të prezantojë Konjufca është praktikisht i njëjtë me atë të Kurtit dhe pa ndryshime në përbërje ose në ndonjë aleancë të re politike, nuk pritet as rezultat i ndryshëm. Konjufca ka sinjalizuar se nuk kërkon koalicione të reja, por vetëm mirëkuptim për votimin e qeverisë së tij. Ndërkohë, vendi mbetet pa buxhet për vitin e ardhshëm, pa disa buxhete komunale, pa ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare të Planit të Rritjes së BE-së dhe pa miratuar buxhetin e RTK-së. Zgjidhja e vetme reale do të ishte një marrëveshje politike për një qeveri teknike me mandat të kufizuar. Deri tani, Konjufca nuk ka bërë asnjë lëvizje drejt partive parlamentare për ta kërkuar këtë. Ndërkohë, është e pazakontë që seanca për votimin e qeverisë nuk thirret më herët, gjë që në legjislaturat e kaluara është bërë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit. Vonesa e tillë tregon mungesë të votave për qeverinë ‘Konjufca’, s’ka koalicione të reja, s’ka gatishmëri nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma dhe asnjë deputet individual se do të ofrohet mbështetje”, shkroi Jakaj.