Hill: Selimi e Krasniqi ishin të dedikuar për pavarësi, për Veselin kam dëgjuar, për sistemin e raportimit në UÇK nuk di
Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi “ishin persona shumë të dedikuar për pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-ja ishte forca shtytëse”, tha diplomati amerikan, Christopher Hill në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai po vazhdon dëshminë e tij në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, dhe përveç takimeve dhe kontakteve me Hashim Thaçin, u pyet edhe për Selimin, Krasniqin.
Për Kadri Veselin, tha se nuk i kujtohej se kur e ka dëgjuar emrin e tij.
“E kam dëgjuar emrin, por ti më pyet për emra që mund të kem dëgjuar apo jo 27 vjet më parë. Nuk e di në qoftë se këtë emër e kam dëgjuar atëherë apo më vonë”, tha ai.
Hill tha se nuk kishte informacion për sistemin e raportimit brenda UÇK-së.
“Nuk kam informacion lidhur me sistemin e raportimit brenda UÇK-së. Sigurisht që Shtetet e Bashkuara kishin mundësi ose aftësi që të gjenin strukturat e UÇK-së. Unë personalisht nuk kam informacion sa i takon sistemit të brendshëm të UÇK-së”.
I pyetur nëse ekzistone një njësit zbulimi dhe kundërzbulimi, Hill tha: “Mendoj se duhet të ketë pasur një sistem të tillë, por nuk kam informacion”.