Kryetari Basha falënderon veteranët amerikanë për kontributin në lirinë e Kosovës
Në Ditën e Veteranëve të SHBA-së, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë ushtarët amerikanë që kanë shërbyer me nder në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara.
Ai ka veçuar kontributin historik të SHBA-së gjatë intervenimit të vitit 1999, i cili, siç tha ai, solli fundin e luftës në Kosovë dhe hapi rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Basha gjithashtu ka theksuar rëndësinë e pranisë së vazhdueshme të forcave amerikane në kuadër të KFOR-it, që luajnë rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.
“Në këtë ditë nderimi, u shprehim respektin dhe mirënjohjen e thellë të gjithë veteranëve amerikanë për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe demokracisë. Faleminderit për shërbimin tuaj”, është shprehur kryetari Basha.