Dimal Basha takon sindikalistët e RTK-së: Thirrje deputetëve për mbështetje të Komisionit për Buxhet
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka pritur përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radios së Kosovës, pas protestës së mbajtur nga ta.
Ai tha se qëllimi i takimit ishte gjetja e një zgjidhjeje të drejtë për pagat e punëtorëve të RTK-së dhe për stabilitetin financiar të transmetuesit publik.
“Sot, gjatë protestës së Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radios së Kosovës, dola për t’i takuar nga afër protestuesit dhe më pas i mirëprita në takim përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Biseda jonë u zhvillua me përkushtim dhe mirëkuptim, me synimin për të gjetur zgjidhje të drejtë për pagat e merituara të punëtorëve të RTK-së dhe për funksionimin e qëndrueshëm financiar të institucionit publik të transmetimit”, ka shkruar Basha në Facebook.
Ai ka theksuar se si kryetar i Kuvendit ka dhënë mbështetje të plotë për tejkalimin e kësaj situate dhe ka kërkuar funksionalizimin e trupave parlamentare për të mundësuar miratimin e raportit të RTK-së.
“Si Kryetar i Kuvendit, kam dhënë mbështetjen time të plotë për zgjidhjen e kësaj situate, pasi tashmë kemi një Kuvend funksional dhe ekziston mundësia ligjore për të vepruar në këtë drejtim. Të njëjtën qasje e kam mbajtur edhe në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, ku kam kërkuar formimin e trupave parlamentare, në mënyrë që të hapet rruga për Komisionin përkatës për Buxhet, i cili më pas do të mund të miratonte Raportin e Shpenzimeve të RTK-së dhe të mundësonte procedimin e mjeteve përmes Thesarit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Basha u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve parlamentare që të mbështesin themelimin e Komisionit për Buxhet, duke theksuar se kjo nuk është çështje politike, por institucionale dhe humane.
“Prandaj, në frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi, u bëj thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve të tjera parlamentare që ta mbështesin këtë iniciativë, sepse votimi për komisione nuk është çështje politike, por çështje e funksionalizimit të institucionit publik të transmetimit dhe mirëqenies së rreth 700 familjeve që jetojnë nga puna dhe pagat e punëtorëve të RTK-së”, shtoi Basha.
