“Koalicioni i pazareve”, Sveçla: Në Prishtinë askush s’është fitues, humbësi më i madh është qytetari i saj
Foto: Laura Hasani

“Koalicioni i pazareve”, Sveçla: Në Prishtinë askush s’është fitues, humbësi më i madh është qytetari i saj

Aktuale November 10, 2025 - 11:32

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa foli për rezultatin e zgjedhjeve të kësaj partie në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ka përmendur edhe rastin që i ndodhi po në ditën e diel me një aktivist të LDK-së, e pa çka tha se “janë disa që edhe kur bëjnë shkelje, luajnë viktimën”.

Megjithëkëtë, Sveçla tha se në Prishtinë askush nuk është fituesi dhe se humbësit janë qytetarët.

Sipas tij, që Përparim Rama nga LDK-ja të dalë i pari në këto zgjedhje erdhi krejt shkak i një bashkimi, siç e thotë ai, koalicion i pazareve.

Reagimi i plotë i Sveçlës, pa ndërhyrje:

Dje u zhvillua dhe u përmbyll me sukses procesi i raundit të dytë zgjedhor ku qytetarët patën mundësinë të zgjedhin udhëheqjen e komunave të tyre. Lëvizja VETËVENDOSJE! doli shumë më mirë se gjitha herat në zgjedhje lokale. Patjetër që pritshmëritë tona, me të drejtë ishin më të mëdha. Nëpër disa komuna na duhet punë më e madhe, e në disa më shumë qartësim të konceptit kundrejt votuesit.

Është e qartë se në Prishtinë askush nuk është fituesi, ndërsa humbësi më i madh është qytetari i saj. Lëvizja Vetëvendosje humbi jo nga shpalosja apo bashkimi i ideve por nga koalicioni i pazareve të llojeve e niveleve të ndryshme. Koalicioni LDK-PDK-AAK, oligarkë e disa kuazimedia do t’i kushtojë më së shumti qytetarit.

Mbetet që angazhimi ynë të minimizojë dëmin e zvogëlojë çmimin gjithmonë në të mirë të qytetarit e shoqërisë.

Të dashur aktivistë dhe qytetarë,

Ju faleminderit përzemërsisht për punën e palodhshme dhe besimin që na e keni dhënë. Vazhdojmë përpara dhe gjithmonë bashkë.

Ps.

Janë disa që edhe kur bëjnë shkelje, luajnë viktimën. Ata që më njohin, e dijnë shumë mirë se edhe kur kam qenë Drejtor i Inspeksionit, edhe si Deputet e tash Ministër, e mbi të gjitha gjithmonë si aktivist, unë kam reaguar ndaj shkeljeve e padrejtësive. Kështu do të vazhdoj, drejt dhe me shumë punë! /Zëri