Kurti: Lëvizjen s’e ndali as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve
Foto: Laura Hasani

Kurti: Lëvizjen s’e ndali as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve

Aktuale November 10, 2025 - 09:51

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se përkundër bashkimit të të gjithë kundërshtarëve, Lëvizja nuk u ndalë, duke shënuar fitore në shtatë komuna.

Kurti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se, partia në këto zgjedhje ka fituar më shumë se kurdoherë më parë.

Ai ka thënë se partinë që e udhëheq nuk e ndali as, siç është shprehur, bashkimi i të gjithë kundërshtarëve.

“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju faleminderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shkruar Kurti.

Ai u ka kërkuar qytetarëve që të mbajnë përgjegjës secilin kryetar të zgjedhur për premtimet e dhëna.

“Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra”, ka shkruar Kurti. /Zëri