Koalicione të mëdha, rezultate të vogla – marrëveshjet që nuk funksionuan në balotazh
Foto: Laura Hasani

Koalicione të mëdha, rezultate të vogla – marrëveshjet që nuk funksionuan në balotazh

Aktuale November 10, 2025 - 09:10

Disa kryetarë të komunave që nuk arritën të fitonin në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë, u detyruan të përgatiteshin për balotazh, mirëpo edhe kësaj radhe u zhgënjyen.

Duke e ditur se gara do të jetë e ashpër në raundin e dytë, vendosën që të bënin koalicione lokale, në mënyrë që të dilnin triumfues, por që nuk ia dolën.

Rasti është në komuna si, Gjilani, Mitrovica, Fushë Kosova, Vushtrria, Juniku e Dragashi.

Image

Në Anamoravë, LDK që drejtohej nga kandidati Arbër Ismajli, bashkoi forcat me PDK-në, për t’u përballur me Alban Hysenin e LVV-së, mirëpo nuk ia dolën.

Hyseni ia doli të fitonte sërish si kryetar i Gjilanit për të dytën herë radhazi, duke marrë 61,06 për qind apo 22,269 vota.

Ndërsa, Ismajli me këtë koalicion të madh, ia doli të merrte vetëm 14,203 vota apo përkthyer në përqindje 38,94.

Image

Garë e ashpër ishte edhe në Mitrovicë, ku kandidati për kryetar Arian Tahiri nga radhët e PDK-së u bë bashkë me LDK-në, AAK-në dhe AKR-në, përballë Faton Pecit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Mirëpo, Peci ia doli të bënte ballë këtij koalicion të gjerë, duke fituar plotë 17,837 vota apo 53,47 për qind, ndërsa Tahiri mori 46,53 për qind apo 15,522 vota.

Në Fushë Kosovë pas më shumë se dy dekadash, LDK e humbë bastionin e saj, por kësaj radhe në vend të Burim Berishës ishte Besnik Osmani.

Image

Osmani u fut në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokaret dhe Partinë Liberale Egjiptiane.

Me gjithëkëtë nuk ia doli të triumfonte përballë Valon Prebrezës së LVV-së, që mori 10,583 vota apo 54,99 për qind, derisa Osmani me partitë në koalicion morën 8,664 vota apo 45,01 për qind.

Në Vushtrri koalicionet sollën edhe përplasje në nivelin qendror, pasi Xhafer Tahiri i LDK-së iu bashkua Sylejman Mehollit të Lëvizjes Vetëvendosje për të garuar kundër Ferit Idrizit të PDK-së.

Image

Ndonëse Lumir Abdixhiku së bashku me kryesinë e LDK-së nuk e miratuan këtë koalicion, Tahiri vendosi të mbështeste Mehollin, por morën vetëm 45,73 për qind apo 12,158 vota.

Në anën tjetër, Idrizi i PDK-së mori mbi dy mijë vota më shumë, apo 14,427 sosh – përkthyer në përqindje 54,27, shkruan Telegrafi.

Në Junik, Agron Kuçi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mori mbështetjen e Jetmir Tofajt nga Lëvizja Vetëvendosje, për të garuar kundër Ruzhdi Shehut të LDK-së.

Por, Shehu si i vetëm ia doli të ngadhënjente me 55,92 për qind apo 1,426 vota, ndërsa koalicioni mori vetëm 44,08 për qind apo 1,124 vota.

Image