Krasniqi: Në vend që të garantojë rend e siguri, Sveçla kërcënon një zyrtare të një partie politike
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Në vend që të garantojë rend e siguri, Sveçla kërcënon një zyrtare të një partie politike

Aktuale November 09, 2025 - 12:41

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, ka reaguar pasi që ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një qytetar/aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe e ka publikuar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, pasi që i njëjti, para shkollës “Faik Konica”, kishte një simbol të LDK-së në kraharor, shkruan Zeri.info.

Sipas Krasniqit, bazuar në rregullat zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj.

Krasniqi thotë se kështu Sveçla ka bërë shkelje duke e publikuar këtë aktivist, duke e quajtur veprim të papranueshëm.

“Pra, edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse - jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit. Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtare të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi - pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore. Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik. Ndërhyrja e tij në situata të tilla është presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive”, ka thënë Krasniqi.

Image

Reagimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:

Sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj. Në ligjin e mëparshëm për zgjedhje, kufizimi ishte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës, por ajo dispozitë tashmë nuk është më në fuqi.

Pra, edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse - jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit.

Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtare të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi - pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore.

Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik. Ndërhyrja e tij në situata të tilla është presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive.

Në një demokraci funksionale, ministrat duhet të jenë shembull i ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë - jo ta zbehin atë kufi. /Zëri