70-vjeçarja ankohet për neglizhencë në QKMF të Gjilanit: Më lanë 20 minuta me tension 190
Një 70-vjeçare, qytetare e Gjilanit, është ankuar se stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan nuk i kishte kushtuar kujdesin e duhur, pavarësisht se ishte paraqitur në gjendje të rënduar shëndetësore.
A.H., emër i njohur për redaksinë, ka thënë për Klankosova.tv se kishte pritur rreth 20 minuta me tension të lartë, pa marrë ndihmë, dhe më pas ishte detyruar të shkonte në emergjencë, ku i ishte ofruar trajtimi mjekësor.
“Rreth orës 11 të natës, të enjten, kam shkuar me djalin në QKMF në Gjilan me tension të lartë, diku 190. Ato motrat rrinin në sportel, as që dilnin të thoshin atyre para meje t’i lëshonin radhën pasi e kisha urgjencë. Rrinin në telefon, ndërsa ne pritëm 20 minuta. Pastaj shkova në emergjencë, dhe atje më morën menjëherë në trajtim,” ka treguar A.H,
Ndërkohë, Basri Kamberi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan deklaroi për Klankosova.tv se të gjitha rastet që paraqiten në qendër trajtohen sipas procedurave të përcaktuara
“Merren parasysh dhe vlerësohen të gjitha rastet që vijnë. Bëhet skanimi fillestar dhe pacienti orientohet tek mjeku përkatës. Në momentin kur bëhet fjalë për rast të rëndë, infermieri e përcjell menjëherë. Nëse kanë ndonjë ankesë për infermierët, le ta dërgojnë me email”, tha Kamberi. /klankosova