Ekspertët alarmojnë pas rastit në Malishevë: Vrasjet po shtohen, shteti duhet të veprojë me urgjencë

Ekspertët alarmojnë pas rastit në Malishevë: Vrasjet po shtohen, shteti duhet të veprojë me urgjencë

Aktuale November 08, 2025 - 08:06

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka deklaruar se i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë ka pasur të kaluar kriminale para kryerjes së aktit.

Sipas tij, sistemi gjyqësor duhet të reagojë më shpejt dhe të marrë vendime ndëshkuese për raste të ndjeshme, për të parandaluar krime të tjera të mundshme.

“Shumica e rasteve të vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë fatkeqësisht lidhen me persona që kanë pasur të kaluar kriminale. Gjykatat duhet të ndërmarrin veprime më të shpejta në ndëshkimin e tyre për të parandaluar veprime tjera”, tha Morina.

Ndërsa avokati Valdet Hoxha, i cili po ashtu komentoi rastin tragjik, theksoi se shteti duhet të krijojë me urgjencë një strategji të trajtimit të fenomenit të vrasjeve dhe të analizojë profilin e autorëve që kryejnë krime të tilla.

“Rastet e vrasjeve po shtohen dhe kjo kërkon një analizë serioze. Shteti duhet të studiojë arsyet, profilin e personave dhe të ndërmarrë masa parandaluese konkrete”, tha Hoxha.

Ekspertët e sigurisë dhe të drejtësisë pajtohen se neglizhenca institucionale, vonesat në gjykata dhe mungesa e mekanizmave preventivë po ndikojnë që raste të tilla të përsëriten me pasoja tragjike. /dukagjini