Kurti kërkon sanksione ndaj Serbisë, thotë se Vuçiqi po përndjek serbët e integruar në institucionet e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Kurti kërkon sanksione ndaj Serbisë, thotë se Vuçiqi po përndjek serbët e integruar në institucionet e Kosovës

Aktuale November 07, 2025 - 21:18

Pas rastit të rrëmbimit dhe plagosjes së një qytetari serb me shtetësi kosovare, që dyshohet të ketë ndodhur nga xhandarmëria serbe brenda kufirit të Kosovës, në Leposaviq, ka folur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Shefi në detyrë i qeverisë thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka nisur përndjekjen e serbëve të integruar në institucionet e Kosovës.

“Fqinji ynë veriorë, përveç se është agresor është edhe agresiv. Vazhdimisht bën sulme, kërcënime e provokime. Së fundmi është e qartë që Serbia është dorëzuar para Republikës së Kosovës, dhe para shqiptarëve. Ajo tash i ka në shënjestër serbët të cilët janë integruar në Kosovë, që punojnë për të mirën e komunitetit serb, dhe të cilët nuk i kanë librezat e partisë së presidentit të Serbisë, Vuciq atje”, deklaroi ai.

Sipas tij, Serbia është drejtuar kah Kremlini, e jo Evropa ashtu siç është rreshtuar Kosova.

“Kosova dhe Serbia dy shtete fqinje, Kosova është shtet demokratik, me paqe e siguri, me ligjshmëri dhe rend publik, ndërkaq Serbia është shtet autokratik, armiqësor i orintuar kah veri-lindja pra nga Kremlini, dhe gjishatu me aspirata ekspazioniste e hegjemoniste në Ballkan. Ne jemi të orientuar kah Perëndimi kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja”, deklaroi Kurti.

Nga sheshi i veriut të Mitrovicës, Kurti kërkoi sanksionimin e Serbisë nga BE-ja dhe NATO, meqë sipas tij, ajo përbën kërcënim për vendet e Ballkanit.

“Andaj është e domosdoshme që faktorët ndërkombëtar bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, e posaçërisht Bashkimi Evropian dhe NATO-ja ti bëjnë trysni Beogradit ta vendosin Serbinë nën sanksione sepse ajo po i lufton serbët në Kosovë të cilët dëshirojnë të jetojnë në paqe e në liri, për të cilët jemi garant ne si qeveri e Republikës meqenëse unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, por edhe i të tjerëve përfshirë serbëve që janë rreth 4% të popullsisë në Kosovë”.

Kurti ka një thirrje edhe për serbët në katër komunat veriore.

“Kushtetutshmëria, ligjshmëria, paqja e siguria, rendi publik do të jenë cep më cep Republikë sonë, tërë kohën për të gjithë, pa dallim për inat të askujt por për të mirën publike e qytetare, andaj edhe organet e Kosovës edhe në aspektin e sigurisë por edhe në aspektin social, do të jenë pranë gjithë qytetarëve, pa diskriminuar , favorizuar asnjë njeri. Pra ne i ftojmë serbët në veri të Mitrovicës që të bashkëpunojnë me organet e shtetit të Kosovës për arsyeje se edhe ata aty kontribuojnë me tatime, e njëkohësisht është dëshmuar që jo vetëm Policia e Kosovës por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit , janë profesionist të cilët shërbejnë me përkushtim dhe pa dallim”.

Rasti i rrëmbimit të Milan Vukasinoviqit më 1 nëntor në Leposaviq po hetohet nga organet e rendit në Kosovë. /teve1