Bislimi: Raporti i Progresit për Kosovën është më objektiv se sa më parë
Foto: Laura Hasani

Bislimi: Raporti i Progresit për Kosovën është më objektiv se sa më parë

Aktuale November 07, 2025 - 19:03

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka folur për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025, për situatën e brendshme politike, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe zhvillimet e fundit institucionale në vend.

Bislimi theksoi se raporti i sivjetmë për Kosovën nuk përmban një vlerësim përfundimtar, siç është pretenduar nga disa gazetarë, por jep vlerësime të veçanta për secilin kapitull të agjendës së integrimeve evropiane.

“Raporti nuk ka asnjë cilësim apo notë përfundimtare. Rrjedhimisht ky konstatimi që paska një cilësim mes ‘përkrahjes së kufizuar’ apo ‘stagnim’ është një lapsus që ka lindur nga disa gazetarë. Raporti ndan vlerësime për kapituj individualë dhe në 35 prej tyre ka progres të limituar ose progres të mirë. Vetëm në tri fusha konstatohet mungesë progresi. Në njërën prej tyre edhe nuk kemi mundur të kemi progres sepse flitet për peshkatarinë. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, nuk e ka si sektor të zhvilluar dhe nuk kemi se si të koncentrojmë energjinë resurset tona në zhvillimin e këtij sektori”, tha Bislimi.

Ai shtoi se raporti i këtij viti është dukshëm më objektiv dhe më korrekt në krahasim me vitet paraprake.

“Është hera e parë që nuk kemi nevojë të shpenzojmë energji për të bindur partnerët në Bruksel se disa nga vlerësimet kanë qenë të gabuara ose janë karakterizuar me subjektivitet të madh. Pjesa më e madhe e vlerësimeve është brenda suazave të korrektësisë”, theksoi Bislimi.

Sipas tij, raporti duhet parë në kontekstin e kufizimeve që ka pasur Kosova gjatë kësaj periudhe, përfshirë mungesën e institucioneve të konsoliduara, masat ndëshkuese të BE-së dhe pamundësinë e ratifikimit të instrumentit të Planit të Rritjes në Kuvend.

“Nëse i kemi parasysh këto kufizime, raporti tregon një sukses mbi proporcional të Kosovës,” tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri në detyrë foli edhe për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se ngërçi institucional ka ardhur si pasojë e refuzimit të disa subjekteve politike për të pranuar rezultatin zgjedhor.

“Ngërçi institucional është krijuar në atë moment kur një pjesë e spektrit politik ka refuzuar ta pranojë rezultatin zgjedhor. Edhe pse i ke marrë 15% ke dashur të sjellësh dhe të trajtohesh si fitues i zgjedhjeve dhe kjo është pak a shumë e palogjikshme. Dhe në këtë kontekst ka dominuar ideja që ai që është i madhi duhet të lëshojë pe e të bëjë kompromise. Dhe nëse e ndiqni me kujdes ecjen që nga fundi i muajit mars e deri më tani, ka vetëm një subjekt politik i cili në këtë ngërç institucional është sjellë me përgjegjësi dhe ka ofruar zgjidhje dhe kompromise. Na është thënë ne nuk e votojmë gruan më të votuar në Kosovë, ish-ministren e drejtësisë, e ju si parti e madhe duhet të bëni kompromis, por edhe kur bëni kompromis ne prapë nuk ju votojmë”, tha Bislimi, duke iu referuar qëndrimeve të LDK-së.

“Ky ka qenë qëndrimi i LDK-së; Ju duhet të reflektoni duhet ta ndryshoni kandidatin, por edhe kur e ndryshoni ne nuk ju votojmë. Duhet të ecni edhe me kandidatin për kryeministër por edhe kur e ndryshoni ne nuk ju votojmë.  Pra, është një subjekt që ofron kompromise, që bën ftesa dhe ka subjekte tjera që refuzojnë ftesat dhe të kritikojnë që nuk po bën kompromise dhe pastaj kur bën kompromise thonë se kjo nuk qon peshë për neve se prapë nuk lëvizim prej pozicioni, por kompromisi duhet”, nënvizoi Bislimi.

Sipas tij nuk mund të flasësh për kompromis kur refuzon të lëvizësh nga pozicioni, e i cili si i tillë sipas tij është pozicion bllokues.

“Këtë e kemi parë te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, e kemi parë te zgjedhja e nënkryetarëve të kuvendit, e kemi parë te votimi i qeverisë dhe po e shohim edhe tani te ftesa që ne po u bëjmë që të ecim përpara me disa momente me rëndësi, si miratimi i Ligjit për Buxhetin e vitit 2026, miratimi i buxheteve 2025 për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut si dhe miratimi i Planit të Rritjes, si dhe alkimi i buxhetit për RTK-në. Janë katër vendime që kanë një dozë urgjence, që Kuvendi si i konstituuar ka mundësi të ecë përpara, por ka një hezitim apo rezistencë”, shtoi ai.

Duke folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, Bislimi tha se tani Brukseli po pret transferin e qetë të pushtetit lokal në katër komunat veriore.

“Ajo çfarë kemi dëgjuar së fundmi është se ata po presin se si do të ndodhë transferi i pushtetit lokal në katër komunat në veri, pasi që fituesit e këtyre zgjedhjeve janë të ndryshëm nga kryetarët aktual. Si duket ka lindur si anekdotë brenda institucioneve të caktuara BE-së ndonjë frikë apo brengë se mund të ketë tensione brenda këtij transferi. Ata duhet të binden se kjo nuk ndodh dhe pastaj të hiqen masat”, u shpreh Bislimi.

Sa i përket mungesës së emrit të tij në kabinetin e propozuar nga mandatari i parë për krijimin e qeverisë, Albin Kurti, Bislimi theksoi se ka qenë kërkesë e tij për të mos vazhduar më tej në qeveri.

“Jam jashtëzakonisht shumë i lumtur dhe krenar që më është dhënë mundësia që përgjatë këtyre katër viteve, pothuajse pesë, t’ i ndihmojë z.Kurti në avancimin e proceseve për të cilat ai ka bërë zotime në fushatën e vitit 2021 dhe ka marrë përgjegjësinë pas votimit të qeverisë. Për mua kjo ka qenë veçanërisht me rëndësi, për arsye se unë nuk kam kaluar nëpër ato fazat e testimit në zgjedhje, pra nuk kam qenë pjesë e listave zgjedhore. Dhe të marrësh dikë që nuk ka qenë pjesë e listës zgjedhore dhe ta vendosësh si zëvendëskryeministër të parë dhe t’i japësh bukur kompetenca nuk ka qenë e lehtë as për kryeministrin. Ka qenë vendim i imi, meqenëse ky angazhim ka qenë shumë i lodhshëm dhe kam nevojë për pak pushim, pak kohë për familje”, tha Bislimi, i cili paralajmëroi se kontributin e tij në të ardhmen mund ta japë në një fushë tjetër, por pa dhënë hollësi tjera.

Në fund, ai theksoi se nëse mandatari i dytë për krijimin e qeverisë nuk arrin të marrë 61 votat e nevojshme, atëherë vendi në dhjetor do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Në qoftë se kemi konstatim se për 9 muaj ne nuk kemi arritur t’i kryejmë detyrat edhe vizavi BE-së por edhe vizavi qytetarëve, siç është rasti me buxhetet e komunave, me buxhetin e RTK-së, me Planin e Rritjes etj, është shumë me rëndësi që qytetarëve t’ia shpjegojmë ku ka ndodhur ngecja, ku ka ndodhur bllokada, kush janë përgjegjësit. Kush ka vepruar konform rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, e kush ka tentuar ta ndërrojë rezultatin nën tavolinë. Kush ka menduar që me 15 përqind falë ambasadave, falë bllokadave, falë inateve mundet të shpallet fitues”, theksoi Bislimi.

Ai ka thënë se qytetarët do ta kenë të qartë situatën dhe në të ardhmen nuk do të lejojnë që përmes votës së tyre ta mundësojnë një bllokadë të tillë.

“Në politikë kyçesh për të shtyrë proceset përpara, jo për të bllokuar proceset”, përfundoi Bislimi, teksa akuzoi partitë e tjera se janë bllokuese në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. /rtk