“Stagnim dhe progres i limituar”, GLPS-ja shpalos të gjeturat kryesore të raportit të KE-së
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën vlerëson se vendi ka bërë progres të kufizuar në shumicën e fushave. Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thonë se në bazë të raportit Kosova ka arritur përmirësim në 4 kapituj, ndonëse ky lloj përparimi nuk i përgjigjet nevojave për reforma të thella për integrim të shpejtë.
Vetëm disa ditë më parë Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën.
Për të folur në lidhje më të gjeturat kryesore të raportit, gjatë së enjtes Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka mbajtur një konferencë për medie.
Drejtoresha ekzekutive, Njomza Arifi, tha mes tjerash se Kosova ka arritur progres në katër kapituj, por në përgjithësi ka qenë një vit i shkuar dëm si pasojë e krizave politike.
“Sa i përket progresit, raporti i këtij viti vlerëson se Kosova ka arritur progres të limituar në 17 kapituj, në 11 kapituj të tjerë njëfarë progresi, në dy fare nuk ka progres dhe vetëm në një kapitull ka progres të mirë për vitin 2025. Pasojat e ngërçit politik vërehen në të gjitha rreshtat e këtij raporti. Kryefjala e këtij raporti është stagnim dhe progres i limituar”, ka thënë Arifi për Teve1.
Hulumtuesi tjetër nga kjo organizatë, Besar Gërgi, tregoi se Kosova ka shënuar regres edhe sa i përket lirisë së shprehjes në krahasim me vitet e kaluara.
“Sa i përket lirisë së shprehjes, raporti është dukshëm më negativ sesa në vitet e kaluara. Përmenden rreth 70 sulme fizike dhe verbale ndaj gazetarëve. Këtu përmendet edhe gjuha ofenduese e përdorur nga zyrtarët e lartë, si dhe nga vet kryeministri. Raporti kritikon mungesën e financimit afatgjatë të transmetuesit të vetëm publik, si dhe zhvillimet negative në kuadër të Komisionit të Pavarur të Mediave. Sa i përket KPM-së, raporti thekson se ligji u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pasi kishte dispozita që cenonin pavarësinë e këtij institucioni. Mbetet shumë e rëndësishme që ligji i ri të jetë në standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare” , u shpreh Gërguri.
Ndonëse raporti tregon se Kosova ka bërë progres të kufizuar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka vlerësuar raportin si pozitiv duke thënë se Kosova ka bërë progres në 35 fusha dhe se ka ngecje vetëm në tri.