Policia parandalon garat me vetura në Prizren

Policia parandalon garat me vetura në Prizren

Aktuale November 06, 2025 - 19:42

Policia e Kosovës parandaloi garat e shpejtësisë në Prizren, duke ndërmarrë masa të menjëhershme. Policia njofton se gjobiti gjashtë drejtues automjetesh me nga 150 euro dhe iu ndaloi drejtimin për një muaj, ndërsa patrullat vijojnë të monitorojnë zonën për të garantuar sigurinë në komunikacion.

Më 5 nëntor, rreth orës 21:50, policia ka marrë informacione për një grumbullim të dyshimtë automjetesh në parkingun e një pike karburanti në dalje të autostradës Prizren Veri.

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar 6 drejtues automjetesh me veturat e tyre në Stacionin Policor.

Secilit prej tyre i është shqiptuar gjobë prej 150 eurosh dhe ndalim i drejtimit të mjetit për 1 muaj, për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Patrullat e autostradës dhe të Stacionit Policor Prizren Veri kanë vazhduar patrullimin në zonë për të parandaluar çdo tentim të organizimit të garave dhe për të garantuar sigurinë në komunikacion.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.