Nga Presidenca reagojnë ndaj Isa Mustafës, ia përmendin “marrëveshjet e errëta të vitit 2014” dhe “pazaret e pushtetit”
Foto: Laura Hasani

Nga Presidenca reagojnë ndaj Isa Mustafës, ia përmendin “marrëveshjet e errëta të vitit 2014” dhe “pazaret e pushtetit”

Aktuale November 06, 2025 - 09:20

Shefja e stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, Learta Hollaj, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ish-kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, pas deklaratave të tij kundër presidentes.

Në reagimin e saj, Hollaj e ka quajtur sulmin e Mustafës “një shpërthim të hidhur të një njeriu që nuk po e pranon se koha e tij në politikë ka përfunduar”.

“Ofendimet e sulmet e Isa Mustafës ndaj Presidentes së Republikës janë një shpërthim i hidhur i një njeriu, të cilit, fatmirësisht për vendin, i ka perënduar koha në politikë, por që nuk po gjen dot qetësi për ta pranuar këtë realitet”, ka shkruar Hollaj, transmeton Zeri.info.

Ajo e ka akuzuar Mustafën se në vend që të reflektojë për dështimet e tij politike – që sipas saj ende i kushtojnë Kosovës – ai po zgjedh të sulmojë një lidere që ka mbrojtur demokracinë, sovranitetin dhe dinjitetin e vendit.

Hollaj ka përmendur edhe “marrëveshjet e errëta të vitit 2014” dhe “pazaret e pushtetit” që, sipas saj, u bënë pas shpine dhe në kundërshtim me vullnetin e votuesve, duke i cilësuar si momente të tradhtisë së vërtetë ndaj Kosovës.

“Kur flet Isa Mustafa për ‘tradhti’, kujtesa kolektive e qytetarëve kthehet tek marrëveshjet e errëta të vitit 2014, tek pazaret e pushtetit që u bënë pas shpine dhe në kundërshtim me vullnetin e votuesve, e tek marrëveshjet e dëmshme me Serbinë që përmbanin shkelje kushtetuese”, ka theksuar ajo.

Sipas Hollajt, presidentja Osmani, atëherë si deputete, kishte treguar integritet dhe guxim politik duke refuzuar të bëhej pjesë e këtyre marrëveshjeve, ndërsa tani po akuzohet për “tradhti” nga ata që vetë e kanë tradhtuar parimin demokratik.

“Nuk është tradhti të mos u bindesh verbërisht liderëve si Mustafa që devijojnë nga parimet dhe shkelin interesat e Kosovës. Është akt guximi, është thelbi i demokracisë që Presidentja Osmani e mbron me konsistencë”, ka shtuar Hollaj.

Në fund të reagimit, ajo ka theksuar se “më mirë të jesh tradhtare e marrëveshjeve të pista që e kanë dëmtuar vendin, sesa simbol i politikës së nënshtrimit, heshtjes dhe humbjeve”.

“Koha e burrave që mendojnë se populli u detyrohet atyre ka perënduar. Sot flasin veprat, besimi qytetar dhe vlerat që përfaqëson Presidentja e vendit”, ka përmbyllur Hollaj.

Ky reagim vjen pas deklaratave të fundit të Isa Mustafës, i cili e kishte akuzuar presidenten Osmani për “tradhti politike” ndaj LDK-së dhe ndaj vendit.

Ish-kryetari i LDK-së ditë më parë ka folur për ish-bashkëpunëtoren e tij, tani presidente e Kosovës.

Për atë që Vjosa Osmani, ka (ri)orbituar në kursin e Albin Kurtit, tash e disa muaj, për Isa Mustafën nuk përbën befasi.

Ky i fundit, veçse paranjofton “dredhi” të radhës nga ajo “për të mbetur në pushtet.

“Sa i përket presidentes, ajo është treguar një karrieriste dhe manipulante e paskrupullt politike. Deri tani ka miratuar dhe ekzekutuar të gjitha veprimet e qeverisë ‘Kurti’, që kanë quar në izolimin politik dhe ekonomik të vendit. E ka lënë vendin pa kryeprokuror të shtetit, në disa raste e ka shkelë Kushtetutën dhe nuk ka reaguar asnjëherë në shkeljet kushtetuese nga qeveria. Edhe tani mund të presim dredhi të saj për të mbetur në pushtet”, tha Isa Mustafa. /Zëri