Seanca për liberalizimin e tregut të energjisë në Gjykatën Supreme zhvillohet me ndërprerje të rrymës
Në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me padinë e iniciuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që ka të bëjë me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Seanca, në të cilën u diskutua për procesin e liberalizimit të tregut, u karakterizua herë pas here edhe me ndërprerje të energjisë elektrike.
Avokati i OEK-ut, Ekrem Hoxha, duke arsyetuar kërkesën për anulimin e vendimit të ZRRE-së, tha se komuniteti i bizneseve ka qenë i papërgatitur për një ndryshim kaq të madh dhe se procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
“Paditësi, si një nga zërat kryesorë të komunitetit të bizneseve dhe organizata të tjera, jo se e kanë kundërshtuar procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, por kanë potencuar nevojën e një faze tranzitore për të ardhur deri te ky proces, meqë komuniteti i bizneseve ka qenë i papërgatitur për një ndryshim radikal me efekte gati shkatërruese për ekonominë. Paditësi, përkundër që ka pasur obligim ligjor, ka shkelur ligjin — këtu vjen në shprehje paligjshmëria, meqë e njëjta ka pasur detyrim ligjor të kryejë një analizë, të cilën nuk e ka bërë dhe nuk e ka bërë me vetëdije të plotë duke shmangur obligimin ligjor dhe duke krijuar favore për një operator privat si KESCO, si dhe disa operatorë të tjerë të licencuar në këtë fushë, për të kamufluar kinse konkurrencën reale në treg,” tha ai.
Sipas avokatit Hoxha, konkurrenca reale në treg nuk ekziston, pasi operatorët e tjerë nuk garantojnë furnizim me energji elektrike dhe nuk paraqiten në kërkesat e konsumatorëve.
“Vetë ligji për energji elektrike në hyrje të tij potencon se është në përputhje të pjesshme me direktivat e BE-së dhe thirrja e paditurës se liberalizimi është detyrim nga këto direktiva është vetëm një referim i zbehtë për të arsyetuar një vendimmarrje të marrë nga ZRRE,” shtoi ai.
Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i ZRRE-së, Ymeridin Misini, e kundërshtoi në tërësi padinë duke e cilësuar si të pabazuar në ligj dhe në fakte.
“ZRRE e kundërshton në tërësi padinë si të pabazuar në ligj dhe në akte. Të gjitha aktet e kontestuara janë nxjerrë në kompetencat ligjore të ZRRE-së të përcaktuara nga ligji për ZRRE dhe ligji për energji elektrike. Si institucion i pavarur, ZRRE ka vepruar në përputhje me parimet e pavarësisë, transparencës, konkurrencës së lirë dhe mbrojtjes së konsumatorëve, sipas Kushtetutës, me qëllim të zhvillimit të tregut të energjisë në mënyrë konkurruese, transparente dhe jo diskriminuese,” tha ai.
Sipas Misinit, Gjykata Supreme tashmë ka konstatuar me aktvendim se kërkesa për masë sigurie është e palejueshme, çka sipas tij dëshmon mungesën e bazës ligjore për pranimin e padisë.
“Gjykata Supreme tashmë ka konstatuar përmes aktvendimit se kërkesa për masën e sigurisë është e palejueshme, duke pranuar se nuk ekziston ndonjë cenim apo pasojë e pariparueshme nga veprimet e ZRRE-së. Ky fakt dëshmon se padia nuk ka bazë ligjore as materiale për t’u pranuar. Padia është pa objekt dhe interes juridik,” tha ai.
Avokati i OEK-ut në replikë kërkoi nga gjykata që padia të aprovohet si e bazuar në ligj, duke bërë ndryshim në kërkesë për ta zëvendësuar fjalën “shfuqizohet” me “anulohet”.
Në fund të seancës, përfaqësuesi i ZRRE-së ritheksoi se procesi i liberalizimit është detyrim ligjor dhe ndërkombëtar i Kosovës.
“Dua të theksoj edhe një herë se padia e paraqitur nga OEK është e pabazuar në ligj dhe në fakte. ZRRE ka vepruar brenda kompetencave ligjore dhe kushtetuese. Udhëzuesi për liberalizimin e tregut dhe ndryshimet kanë pasur karakter tranzitor dhe funksion udhëzues, duke parashikuar fazat, kushtet dhe afatet për liberalizim gradual të energjisë elektrike. Procesi i liberalizimit është detyrim ligjor dhe ndërkombëtar që buron nga traktati energjetik dhe është zbatuar në mënyrë graduale, transparente dhe të ligjshme,” tha ai.
Kryetarja e trupit gjykues njoftoi se palët do të informohen me vendimin e gjykatës brenda afatit ligjor. /EO
