Kurti për ish-udhëheqësit e UÇK-së: S’ka arsye të mbahen në paraburgim
Foto: Laura Hasani

Kurti për ish-udhëheqësit e UÇK-së: S’ka arsye të mbahen në paraburgim

Aktuale November 05, 2025 - 12:49
“Kemi punuar në heshtje” - Kurti publikon për herë të parë letrën ku kërkonte lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka as arsye ligjore e as morale që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë, edhe pesë vjet pas arrestimit të tyre e kur tash më nuk ka dëshmitarë dhe Prokuroria e ka përfunduar rastin.

Në një reagim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti ka theksuar se ka punuar në heshtje për çështjen e tyre, duke shtuar se, sipas tij, puna më efektive bëhet pa zhurmë, transmeton Telegrafi.

"Menjëherë pasi kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet", ka deklaruar Kurti.

Kurti thotë se në vitin 2022 kishte kërkuar lirimin e tyre, duke publikuar kështu për herë të parë letrën që ia kishte dërguar Trandafilova.

"Si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjis letrën që i është dërguar drejtpërdrejt Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje", tha Kurti.

Ai shtoi më tej “kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”.