Osmani për “rrëmbimin” e kosovarit nga Serbia: Shkelje e sovranitetit dhe sulm
Të hënën është raportuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Raportohet se një qytetar i Kosovës, i kombësisë serbe, është plagosur nga xhandarmëria serbe në brenda territorit të Kosovës, dhe më pas është rrëmbyer.
Për këtë çështje foli presidentja Vjosa Osmani, e cila këtë rast e quajti “sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin” në tërë rajonin.
“Të vetmet informacione që i kemi janë rezultatet e hetimeve që i kemi nga deklaratat e dëshmitarëve dhe familjarëve të tij. Të gjitha masat janë duke u marrë nga institucionet e Kosovës për të parë gjendjen shëndetësore të qytetarit të Republikës së Kosovës, lokacionin e saktë ku gjendet për momentin, por nga informatat që i kemi nga dëshmitarët dhe familjarët e tij, ai është plagosur me qëllim që të vritet, dhe pastaj është tërhequr duke u kidnapuar”.
“Ky është një sulm që rrezikon paqen dhe stabilitetin jo vetëm në zonën tonë kufitare, por në të gjithë rajonin tonë. Në mënyrë që të mos i ndërprejë institucionet tona në hetim, do t’i lë që rezultatet e këtyre hetimeve, që po bëhen edhe me mbështetjen e aleatëve tanë, përfundimisht të publikohen nga ana e Policisë. Por natyrisht se dyshimi është se ka pasur edhe shkelje të sovranitetit, edhe sulm ndaj një qytetarit të Kosovës”, deklaroi Presidentja.
Ajo tha se Policisë së Kosovës i duhet shumë pak kohë që t’i vazhdojë hetimet “së bashku me institucionet tjera, përfshirë Inteligjencën dhe aleatët tanë, para se të dalë raporti i plotë”.