Shqipëria e Mali i Zi, me shumë gjasa në BE deri në vitin 2030

Shqipëria e Mali i Zi, me shumë gjasa në BE deri në vitin 2030

Aktuale November 04, 2025 - 19:26

Vende të reja mund të bashkohen me BE-në deri në vitin 2030, ndër to Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia, u bë e ditur sot kur Komisioni Evropian miratoi pakon vjetore të Zgjerimit, duke paraqitur një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të bërë nga partnerët e zgjerimit gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, tha se janë të interesuar që ta kthejnë zgjerimin e BE-së në realitet.

Sepse, sipas saj, Union më i madh do të thotë një Evropë më e fortë dhe më me ndikim në skenën globale.

“Ne jemi më të përkushtuar se kurrë për ta kthyer zgjerimin e BE-së në realitet. Sepse një Union më i madh do të thotë një Evropë më e fortë dhe më me ndikim në skenën globale. Por ai duhet dhe do të mbetet një proces i bazuar në meritë. Paketa jonë ofron rekomandime specifike për të gjithë partnerët tanë. Dhe të gjithëve u themi: Anëtarësimi në BE është një ofertë unike. Një premtim paqeje, prosperiteti dhe solidariteti. Me reformat e duhura dhe një vullnet të fortë politik, ju të gjithë mund ta shfrytëzoni këtë mundësi”, tha Ursula von der Leyen, transmeton Klanksoova.tv.

Ndërkaq, zëvendës presidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas tha se procesi i zgjerimit po ecë më shpejtë sot sesa në 15 vitet e fundit, duke shtuar se me ndryshimin e rendit global, siguria e Evropës është gjithnjë e më shumë në rrezik.

“Procesi i zgjerimit po ecën më shpejt sot sesa në 15 vitet e fundit. Por nuk mund të përballojmë humbjen e vrullit. Rendi global po ndryshon dhe siguria e Evropës është gjithnjë e më shumë në rrezik. Zgjerimi është një investim në një Evropë të qëndrueshme dhe shumica e qytetarëve tanë e njohin këtë. Nuk ka rrugë të shkurtra për vendet aspirante, por çfarëdo që BE-ja mund të bëjë për të mbështetur procesin, ne duhet ta bëjmë. Vendet e reja që bashkohen me BE-në deri në vitin 2030 janë një qëllim realist”, tha Kaja Kallas, përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Derisa, komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos tha se viti 2025 ishte një vit progresi i konsiderueshëm për zgjerimin e BE-së.

Ajo ndër tjerash tha se një kontinent i bashkuar është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që kërkojnë që kërkojnë të ndajnë dhe destabilizojnë Evropën.

“Në përgjithësi, viti 2025 ishte një vit progresi të konsiderueshëm për zgjerimin e BE-së. Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia dallohen. Ato përparuan më shumë në reforma gjatë vitit të kaluar. Me ritmin dhe cilësinë aktuale të reformave, mund të jemi në gjendje të përfundojmë negociatat e pranimit në vitet e ardhshme. Nëse bëhet siç duhet, një Union më i madh do ta bëjë Evropën më të fortë. Komisioni do të këmbëngulë në cilësinë më të lartë të reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe liritë themelore. Nuk do të ketë rrugë të shkurtra. Një kontinent i bashkuar është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që kërkojnë të ndajnë dhe destabilizojnë Evropën”, tha Kos. /klankosova