Kurti: Integrimi në BE mbetet prioritet i vendit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar ‘Raportin për Vendin 2025 nga Komisioni Evropian’. Ai tha se raporti në fjalë vlerëson zhvillimet në të gjithë sektorët e shtetit. Sipas tij, edhe pse qeveri në detyrë, raporti konstaton se janë kryer detyrat me sukses.
Duke falënderuar BE dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për bashkëpunimin në agjendën e përbashkët drejt agjendës evropiane, Kurti tha se integrimi në BE mbete prioritet edhe vleror edhe strategjik i vendit.
“Raporti i sivjetmë është pozitiv, pothuajse, në të gjitha fushat dhe ofron rekomandime të qarta aty ku ka ngecje. Ai pasqyron punën e qeverisë dhe progresin tonë të përbashkët shoqëror. Në këtë vit, sikurse gjatë gjithë mandatit, nuk ka pasur kthim prapa në asnjë fushë. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm 3 fusha. Progresi varion nga i kufizuar në në të përparuar. Orientim ynë është i qartë: anëtarësimi i plotë në BE. Raporti konfirmon përkushtimin tonë dhe mbështetjen e gjerë publike për procesin e integrimit”, tha Kurti
Ai më tej shtoi se raporti vlerëson përafrimin e përbashkët të jashtëm e të sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë e Bjellorusisë, si dhe dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.