Një investim për brezin e ri: Ruzhdi Shehu ndan 145 bursa për studentët e Junikut
Foto: Facebook

Një investim për brezin e ri: Ruzhdi Shehu ndan 145 bursa për studentët e Junikut

Aktuale November 04, 2025 - 17:41

Kryetari aktual i Komunës së Junikut dhe njëherësh kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka shpërndarë 145 bursa për studentët e Junikut, duke theksuar se të rinjtë janë e ardhmja e këtij vendi.

Shehu përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se, ky veprim nuk është vetëm një ndihmë financiare, por është një besim i plotë në talentin, ëndrrat dhe mundësitë e rinisë sonë, raporton Zeri.info.

“Besoj se çdo investim në arsim është investim në zhvillimin e Junikut dhe në mirëqenien e çdo familjeje junikase” është shprehur Shehu.

Postimi i plotë:

Të dashur junikas,

Rinia është fuqia dhe potenciali më i madh i komunës sonë, ndërsa arsimi është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm

Prandaj, sot kam pasur kënaqësinë dhe nderin të shpërndaj 145 bursa për studentët tanë, për të rinjtë që janë e ardhmja e këtij vendi.

Kjo nuk është vetëm një ndihmë financiare, por është një besim i plotë në talentin, ëndrrat dhe mundësitë e rinisë sonë.

Besoj se çdo investim në arsim është investim në zhvillimin e Junikut dhe në mirëqenien e çdo familjeje junikase.

Arsimi, rinia dhe zhvillimi do të vazhdojnë të jenë shtyllat kryesore të qeverisjes sonë.

Me punë, transparencë dhe duar të pastra, do të vazhdojmë që të transformojmë Junikun në një vend ku të rinjtë nuk largohen, por krijojnë të ardhmen e tyre këtu.

Së bashku mund ta bëjmë ndryshimin që duam.