Edhe Nisma thotë se s’ka shumicë: Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet
Nisma, përmes një deklarate, ka thënë se nuk ka shumicë në Kuvendin e Kosovës.
Kjo pak kohë pasi LVV-ja zgjodhi Konjufcën si mandatar.
"Nisma Socialdemokrate fton Presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike ose interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës", thotë Nisma.
Komunikata e plotë:
Nisma Socialdemokrate vlerëson se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik. Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë.
Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional. Presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht.
Nisma Socialdemokrate fton Presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës.