AAK-ja s’ka votë për Konjufcën, Isufi: Gabim i LVV-së, e propozoi mandatar vetëm për ta përfituar pushtetin
Foto: Laura Hasani

AAK-ja s’ka votë për Konjufcën, Isufi: Gabim i LVV-së, e propozoi mandatar vetëm për ta përfituar pushtetin

Aktuale November 04, 2025 - 15:11

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka vlerësuar të gabuar veprimin e Vetëvendosjes, ku propozoi Glauk Konjufcën mandatar për kryeministër të qeverisë së re.

Ahmet Isufi nga AAK-ja ka thënë se asnjëherë nuk ka ndodhur të bëhet një propozim i ngjashëm, teksa nuk ka një marrëveshje me partitë politike.

“Ne mendojmë që duhet të ketë një marrëveshje politike mes partive të cilat duan të krijojnë Qeveri prandaj është e para herë që ndodhë që kërkohet një votë për mandatarin e që në të njëjtën kohë nuk ka asnjë marrëveshje. Konsideroj që është e para herë që po ndodhë sepse çdo Qeveri në të kaluarën është krijuar duke pas një bashkëpunim të partive politike të cilat kanë gjet mënyrën e qasjen e qeverisë sepse për të pas Qeveri stabile duhet të ketë edhe kombinim pozitë-opozitë të qëndrueshme. Në këtë rast besoj që është një gabim i Lëvizjes Vetëvendosjes që para se të arrijë marrëveshje me ndonjërën parti politike, po e qetë një mandatar vetëm për ta përfituar pushtetin vetëm për vete”, tha Isufi për Ekonominë Online.

Isufi e ka qartësuar se asnjë deputetë nuk ka votë as për Konjufcën, meqenëse nuk ka një marrëveshje paraprake.

“Nuk ka pas ndonjë komunikim për shkak se AAK-ja e ka përcaktuar vijën e vet me kohë dhe ka deklaruar se është për një Qeveri e cila del nga vota e qytetarëve e që mundet me qenë pjesë e ish-opozitës. Nuk besoj që ka deputet që mund të jap votën nëse nuk ka marrëveshje”, ka thënë Isufi.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër.

Ky do të jetë tentimi i dytë për ta formuar qeverinë e re, pasi Albin Kurti si mandatar, në seancën e jashtëzakonshme të 26 tetorit nuk ka arritur që t’i sigurojë 61 vota për bërë qeverinë e re.