Këto janë gjetjet kryesore për Kosovën në Raportin e Progresit të KE-së
Komisioni Evropian e ka publikuar të martën Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025, ku thuhet se shteti ka bërë përparim, qoftë edhe të kufizuar, në disa fusha, por vë në pah ndikimin e ngërçit politik në rrugën evropiane të Kosovës.
BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.
“Periudha e raportimit u ndikua nga politikat e brendshme përçarëse dhe një fushatë përplasjesh përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt 2025, pasuar nga një bllokim politik paszgjedhor për shkak të pamundësisë dhe mungesës së vullnetit politik të partive politike për të gjetur një mënyrë për krijimin e institucioneve. Qeveria ka qenë në status të Qeverisë në detyrë që nga 23 marsi i vitit 2025 dhe ka funksione të kufizuara ekzekutive për të realizuar operacione të përditshme”, thuhet në raport.
Bashkimi Evropian, sipas Raportit të Progresit, që nga maji i këtij viti ka ndërmarrë hapa “për heqjen graduale” të masave ndëshkuese që vendosi ndaj Kosovës më 2023 për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe.
Raporti përmend se Kosova nuk i ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin të përfitonte nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor “për shkak të ngërçit politik”.
Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka arritur të formojë ekzekutivin e ri, duke pamundësuar ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Plani i Rritjes – paketë në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon përshpejtimin e rrugës së shteteve të rajonit në BE.
Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.
Ngërçi politik dhe agjenda e BE-së
Sa u përket zgjedhjeve të 9 shkurtit, në raport përmendet tha se ato u zhvilluan në mënyrë të lirë dhe demokratike, ndërkaq fushata zgjedhore ishte garuese, “shpesh me retorikë të ashpër, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion socio-politik në zonat ku shumica e popullsisë janë serbë”.
Sa i përket qeverisjes, “sfidat në raportin mes komunave dhe institucioneve qendrore vazhdojnë”, u tha në dokument.
“Më 5 dhjetor 2024, Qeveria miratoi një numër ligjesh, me procedurë të përshpejtuar, duke rritur shqetësimet për parimet demokratike. Opozita, kritike e kësaj praktike, i sfidoi një sërë ligjesh në Gjykatën Kushtetuese”, tha raporti.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, raporti tha se ndërsa Kosova publikisht riafirmon përkushtimin ndaj agjendës të BE-së, politikat përçarëse të brendshme dhe mungesa e prioritizimit kanë penguar që ato të zbatohen në mënyrë efektive”.
Ndërkaq, sa i përket Kuvendit, në raport thuhet se përbërja e mandatit të kaluar u përshkrua “me mungesë të konsensusit politik, shkeljeve procedurale, bojkoteve, thirrjeve të shpeshta të seancave të jashtëzakonshme dhe procedurave të përshpejtuara ligjore”.
“Pavarësisht përmirësimeve të izoluara, sikurse përdorimi i sistemit për votim elektronik dhe publikimi i votave individuale të deputetëve, performanca e Kuvendit pësoi rënie”, u tha në Raportin e Progresit.
Dokumenti përmend edhe dështimet e deputetëve për të konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke theksuar se këto dështime “kanë minuar seriozisht funksionimin e institucioneve kyç demokratike”.
Kuvendi u konstituua në fund të gushtit, pas një sërë përpjekjesh të dështuara dhe disa aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Lufta kundër korrupsionit
Kosova ka bërë “përparim të kufizuar” sa i përket luftimit të korrupsionit, u tha në gjetjet kryesore të Raportit të Progresit.
“Kosova ka bërë përparim të mëtejmë në gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, duke rezultuar në një numër të lartë të vendimeve përfundimtare nga gjykatat dhe shqiptim të dënimeve, ndërkaq numri i përgjithshëm i hetimeve dhe dënimeve të korrupsionit të nivelit jo të lartë ka rënë”.
Komisioni Evropian [KE] tha se Kosova ende vazhdon të mos ketë një kornizë strategjike për luftën kundër korrupsionit.
“Pavarësisht deklarimeve për angazhim politik për përmirësimin e masave kundër korrupsionit, nuk ka një qasje koherente për këtë çështje. Për të pasur një luftë të efektshme kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, Kosova duhet t'i përdorë më mirë ligjet ekzistuese kundër korrupsionit, përfshirë të Ligjit për konfiskim. Mjetet parandaluese sikurse deklarimi i pasurisë dhe planet për integritet të institucioneve publike duhet të përdoren më mirë për të identifikuar dhe për të luftuar rrënjët e korrupsionit.
KE-ja rekomandon që Kosova të forcojë edhe më shumë kapacitetin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, sa i përket stafit dhe ekspertizës, të zbatojë legjislacionin ekzistues dhe të miratojë një strategji kombëtare dhe plan të veprimit për luftën kundër korrupsionit 2025-2025 në linjë me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së.
Po ashtu vendit i rekomandohet që të përmirësojë cilësinë e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, të rrisë kapacitetin e njësisë së posaçme të hetimeve të Policisë në mënyrë që ajo të bashkëpunojë më mirë me Prokurorinë Speciale.
Ndërkaq, duke folur për luftën kundër krimit të organizuar, Raporti gjeti se Kosova ka bërë përparim në këtë fushë.
Gjyqësori dhe liria e shprehjes
Kosova ka bërë përparim të kufizuar në funksionimin e sistemit gjyqësor, tha KE-ja, duke përmendur se ka pasur përmirësime sa i përket problemit të vonesave të rasteve gjyqësore dhe duke theksuar se janë ndërmarrë disa masa për digjitalizim.
Në dokument thuhet se vendi është konsultuar me Komisionin e Venecias për një paketë ligjesh për gjyqësorin, duke bërë hapa drejt përafrimit me standardet evropiane.
Por, Raporti vë në pah se dy institucionet, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial vazhdojnë të funksionojnë pa përbërje të plotë.
“Për shkak të bllokadës politike aktuale, vonesat në hartimin e reformave të drejtësisë kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për forcimin e mekanizmave për përgjegjësi dhe efikasitet brenda gjyqësorit dhe prokurorisë. Ndikimi i papërshtatshëm nga jashtë dhe brenda është i pranishëm”.
Sa u përket të drejtave themelore të njeriut, Kosova duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e tyre, tha Raporti i Progresit.
Në dokument përmenden se janë bërë përparime sa i përket procesit të verifikimit të diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe komisionit për verifikim i është zgjatur mandati.
“Zbatimi i legjislacionit që mbron të drejtat e personave që i përkasin grupeve joshumicë, përfshirë të drejtat gjuhësore, ka nevojë për forcim. Disa masa të reja të miratuara nga qeveria kanë dobësuar më tej qasjen në shërbimet bazë për këto grupe. Miratimi i Kodit Civil dhe ndryshimet në Ligjin për lirinë e fesë mbeten të papërfunduara”.
Në pjesën që flet për lirinë e shprehjes, Raporti përmend se Gjykata Kushtetuese ka anuluar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medias, “duke u dhënë autoriteteve udhëzime të qarta për të siguruar hartimin e shpejtë të një ligji të ri”.
“Ndërsa peizazhi i mediave është pluralist, ai has sfida lidhur me transparencën në pronësinë e mediave dhe qëndrueshmërinë financiare. Mjedisi në veri të Kosovës mbetet kufizues, duke nxitur vetëcensurë te publiku, mediat dhe shoqëria civile”, thuhet në raport.
Kosova këtë vit, sipas indeksit të Reporterët pa Kufij, ka shënuar rënien më të madhe në lirinë e mediave në 15 vjetët e fundit, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ndërkaq, sa u përket reformave në administratën publike, Raporti i bën thirrje Kosovës që të adresojë plotësisht rekomandimet e BE-së sa i përket Ligjit për zyrtarët publikë dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagat në sektorin publik.
Ndër rekomandimet që i bëhen Kosovës në këtë drejtim janë që t'i rrisë kapacitetet e shërbimit civil përmes punësimeve në bazë të meritave, të bëjë vlerësimin e performacës dhe të vendosë masa për të arritur barazi gjinore, të ulë numrin e pozitave vakante dhe me ushtrues detyre dhe të finalizojë sistematizimin dhe klasifikimin e vendeve të punës dhe të sigurohet që të funksionojë sistemi i ri i pagave.
KE-ja rekomandon që të rritet numri i shërbimeve elektronike, që do të ulte barrën adminsitrative.
Periudha raportuese e këtij dokumenti është nga 1 shtatori i vitit 2024 deri më 1 shtator 2025. Raporti përpilohet nga të dhëna të marra nga shumë burime, përfshirë nga Qeveria e Kosovës, shtetet anëtare të BE-së, raporte të Parlamentit Evropian dhe informacione nga organizata të ndryshme joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore. /rel