LDK: Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri

LDK: Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri

Aktuale November 04, 2025 - 13:28

Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] ka apeluar për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore.

Sipas LDK-së, zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri, transmeton Zeri.info.

“LDK-ja konfirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj rendit kushtetues, integritetit të procesit demokratik dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës. Ne do të paraqesim para qytetarëve një program të qartë qeverisës, me zgjidhje të përgjegjshme për ekonominë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale. Vendit i duhet legjitimitet i ri dhe institucione që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve e jo zvarritje, jo pazare dhe as improvizime”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Komunikata e plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se është bërë qartazi e dukshme për opinionin publik dhe për të gjitha subjektet parlamentare se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re. Në këtë rrethanë, shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.

LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jokushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri.

LDK-ja konfirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj rendit kushtetues, integritetit të procesit demokratik dhe rrugës euroatlantike të Kosovës. Ne do të paraqesim para qytetarëve një program të qartë qeverisës, me zgjidhje të përgjegjshme për ekonominë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale. Vendit i duhet legjitimitet i ri dhe institucione që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve e jo zvarritje, jo pazare dhe as improvizime.

LDK-ja bën thirrje të veprohet me pjekuri, të shmanget retorika përçarëse dhe të kontribuohet në një proces të qetë e dinjitoz. Mandati për qeverisje u takon qytetarëve; le ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe të drejta.