Shala: Plagosja dhe rrëmbimi nga xhandarmëria serbe në Leposaviq, shkelje flagrante e sovranitetit

Shala: Plagosja dhe rrëmbimi nga xhandarmëria serbe në Leposaviq, shkelje flagrante e sovranitetit

Aktuale November 04, 2025 - 10:24

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar se plagosja dhe rrëmbimi i Millan Vukashinoviqit brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe është shkelje flagrante e sovranitetit të Kosovës dhe përpjekje të Serbisë për të krijuar tensione ndërkufitare.

Shala në një intervistë për Ekonominë Online ka thënë se rasti që ndodhi më 1 nëntor ka tejkaluar edhe rastet e rrëmbimeve që kishin ndodhur.

“Në të kaluarën ka pasur edhe kidnapime të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, por tani më situata ka agravuar në kuptimin e veprimeve të palës serbe në drejtim të Kosovës. Pra, kemi të bëjmë me shkelje flagrante, shkelje të rendit të brezit kufitar duke lejuar që një shtet të vrasë një qytetar të Kosovës apo ta plagosë brenda territorit të Kosovës. Kjo është shqetësuese – është tejkaluar arma apo plumbi i një shteti në shtetin e Kosovës, ku si pasojë kemi të lënduarin, i cili sipas informacioneve preliminare nga ana e avokatit, dyshohet që tani më është në gjendje kritike të jetës së tij”, tha Shala.

Shala ka përmendur edhe se Vukashinoviqi ka qenë cak i grupeve që udhëhiqeshin nga kryeterroristi Millan Radoiçiq.

“Prandaj, në qoftë se kemi të bëjmë me një vdekje dhe ai nuk i mbizotëron apo i shpëton plagëve të marra, kjo është një tregues i qartë se Serbia në mënyrë permanente ka këtë qëllim dhe këtë synim që të krijojë një incident ndërkufitar. Ne e dimë që i apostrofuari ka qenë cak i grupeve të Millan Radoiçiqit në të kaluarën, ka qenë cak i vendosjes së eksplozivit në veturën e tij. Janë shumë rrethana, shumë elemente që do të duhen të analizohen dhe të krijohet mozaiku i veprimeve që kanë dërguar deri te veprimi i palës serbe në drejtim të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Shala tha se Vukashinoviqi ishte kontaktuar nga një pjesëtar i ushtrisë së Serbisë, për gjoja blerjen e mjaltës.

“Në bazë të qëndrimeve zyrtare dyshohet që incidenti ka ndodhur, apo plagosja ka ndodhur në territorin e Kosovës, në pikën zero që i ndan mes Kosovës dhe Serbisë, ku kryesisht pika zero i referohet pjesës më të skajshme të territorit mes një shteti, ku faktori ndërkombëtar KFOR lëviz dhe patrullon në atë pjesë të asaj hapësire, po njëkohësisht edhe Policia e Kosovës në forma të ndryshme sipas planit operacional. Pra, në bazë të informacioneve preliminare, viktima në këtë rast ka lëvizur brenda territorit të Serbisë duke u kontaktuar me një pjesëtar të ushtrisë së Serbisë, ku sipas informacioneve gjoja për blerjen e mjaltës”, tha ai.

Eksperti theksoi se duhet të zhvillohen hetime të plota për të sqaruar motivet dhe përgjegjësinë e forcave serbe në këtë rast.“Kjo mbetet për t’u analizuar sepse nuk korrespondon me deklarimet dhe qëndrimet, sepse Policia e Kosovës mund të ketë informacione shtesë, mund të marrë informacione më të zgjeruara sa i përket misionit të vërtetë të personit në fjalë – a ka pasur ndonjë qëllim të kontrabandimit, a ka pasur ndonjë qëllim të kontaktimit me një person tjetër apo elemente të tjera. Në qoftë se është plagosur nga pjesa e forcave të xhandarmërisë serbe, pyetja lind me personin nga ushtria serbe që është takuar – në çfarë funksioni ka qenë ai, çfarë përgjegjësie mban brenda mekanizmit të ushtrisë së Serbisë, a ka qenë i vëzhguar dhe i observuar pjesëtari i ushtrisë së Serbisë nga pjesa e inteligjencës së xhandarmërisë serbe dhe më pastaj gjatë tërheqjes apo largimit nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës është qëlluar. Janë shumë çështje, shumë pyetje hipotetike që do të duhej nga ana e pjesës hetimore dhe mekanizmave ndërkombëtarë të KFOR-it të kërkohej përgjegjësi e veprimeve të xhandarmërisë serbe, i cili ka ndodhur sipas të gjitha gjasave brenda Kosovës”, tha Shala.

Institucionet e Kosovës e kanë akuzuar të hënën Serbinë për cenim të integritetit territorial të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.

Sipas njoftimit të Policisë, vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur incidenti dyshohet të jetë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në hapësirën e njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Policia e Kosovës ka njoftuar se është në bashkëpunim të ngushtë me misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), i cili ka bërë të ditur se është në dijeni për incidentin dhe se situata në vijën kufitare administrative është e qetë.

“Policia e Kosovës ka nisur hetime dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Policia e Kosovës e ka koordinuar aktivitetin e vet në anën kosovare të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen e këtij misioni.Në komunikatën e Policisë së Kosovës pasditen e së hënës u tha edhe se i plagosuri ishte dërguar me autoambulancë në drejtim të Nishit. “Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, u tha dje në komunikatën për media.