5 nëntori vendimtar, zgjedhje të reja apo mandatar të dytë?
Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati dhjetëditor brenda të cilit presidentja e vendit, Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Më 26 tetor në Kuvendin e Kosovës dështoi votimi për formimin e qeverisë “Kurti 3”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paraqiti para deputetëve kabinetin e tij të ri qeveritar, por propozimi nuk u miratua, pasi mori vetëm 56 vota për.
Pas këtij zhvillimi, presidentja Osmani nisi konsultimet me subjektet politike. Të premten ajo mbajti një takim të përbashkët me liderët e partive, ku u diskutua për hapat e mëtejshëm.
Pas takimit, Osmani deklaroi se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Presidentja theksoi se, sa i përket mandatarit të parë, është e qartë se ai i takon vetëm partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Ndërkaq, sipas saj, nuk ekziston asnjë kufizim se cila parti mund të propozojë mandatarin e dytë, transmeton Telegrafi.
Sipas Osmanit, Kushtetuta ia jep presidentes diskrecionin për të vendosur se kujt do t’ia japë mandatin e dytë për formimin e qeverisë.
Ajo kujtoi se si në Kushtetutë, ashtu edhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, përmendet termi “mandatar tjetër”. Megjithatë, Osmani shtoi se “nuk mund të paragjykoj me çfarë propozimi do të vijë Lëvizja Vetëvendosje dhe nëse do të vijë fare me ndonjë propozim të tillë”.
Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar se kanë pasur përpjekje për të arritur koalicione, por që asnjëra nga partitë politike nuk ka pranuar.
"Këto gjashtë muaj përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Asnjëra nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të ishte pranuar, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt, ku LVV-ja doli e para, PDK-ja e dyta dhe LDK e treta.