Elisa Spiropali viziton Thaçin në Hagë: Urojmë drejtësi historike, jo padrejtësi

Elisa Spiropali viziton Thaçin në Hagë: Urojmë drejtësi historike, jo padrejtësi

Aktuale November 03, 2025 - 19:29

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Hagë, ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që ndodhet në paraburgim të Gjykatës Speciale.

Në një reagim pas takimit, Spiropali tha se i ka përcjellë përshëndetjet e saja, të qeverisë shqiptare dhe, siç theksoi, të gjithë popullit shqiptar edhe për tre ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së — Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Ajo theksoi se Thaçi ishte në gjendje të mirë dhe se ndiqte zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë.

“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Thaçi dhe përmes tij i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare dhe, besoj, të gjithë popullit shqiptar dhe tre luftëtarëve të tjerë Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçin në gjendje të mirë, e ndiqte zhvillimet në Shqipëri edhe në Kosovë,” deklaroi Spiropali.

Ajo shprehu mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për një proces të rregullt dhe të drejtë, që sipas saj duhet të sjellë “drejtësi historike dhe jo padrejtësi historike”. Spiropali u shpreh e shqetësuar që vendimi i institucioneve të Kosovës lidhur me dhomat e specializuara dhe Gjykatën Speciale të mos kthehet në kundërshtim me procesin ligjor dhe të drejtat e njeriut.

“Ne urojmë që besimi që Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në tërësi kanë ndaj drejtësisë ndërkombëtare të jetë i përligjur deri në fund. Është me rëndësi të madhe të theksohet që populli i Kosovës — djemtë dhe vajzat e Kosovës — u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë, njerëzit dhe jetën e tyre. Në atë vend, e kurrsesi për të agresuar apo për të sulmuar një popullatë apo një vend tjetër,” theksoi ministrja.

Spiropali vuri në dukje se lufta e popullit të Kosovës për liri nuk mund të njolloset dhe se duhet bërë ndarje e qartë midis kontekstit historik të luftës për mbrojtje dhe barrës ligjore që mund të lindë nga akuzat individuale. “Këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia dhe sakrificat e një populli të tërë të mos shkelën deri në fund. Jam e bindur që, edhe pas një procesi të rregullt ligjor, do të mund të shohim më në fund drejtësi për luftëtarët, por edhe drejtësi për Kosovën dhe të vërtetën e saj,” përfundoi Elisa Spiropali.