Deputetja e AAK-së: Qeveria në detyrë po e mban me dhunë pushtetin
Foto: Laura Hasani

Deputetja e AAK-së: Qeveria në detyrë po e mban me dhunë pushtetin

Aktuale November 03, 2025 - 17:15

Votimi i buxhetit për komunat ka mbetur i pezulluar për shkak të mosfunksionimit të komisioneve parlamentare në legjislaturën e re. Si pasojë e kësaj bllokade, shumë projekte zhvillimore dhe procese financiare nuk po ecin përpara, ndërsa komunat po përballen me vonesa në realizimin e mjeteve buxhetore.

Në këtë rrethanë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka vlerësuar se përgjegjësinë për bllokimin e buxhetit e mbajnë partitë opozitare, të cilat, sipas tij, po refuzojnë formimin e komisioneve të Kuvendit.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj ka reaguar lidhur me bllokimin e procesit për votimin e buxhetit për komunat, duke thënë se rrënja e problemit qëndron në mungesën e një qeverie funksionale.

“Kjo është problematike sepse ne nuk kemi qeveri funksionale, kemi një qeveri në detyrë që po e mban me dhunë pushtetin që nga shkurti i këtij viti’’, ka deklaruar Kadrijaj.

Sipas saj, përderisa nuk është formuar një qeveri e re, Kuvendi nuk ka mandat për të votuar as buxhetin e as projektet e tjera që kërkojnë aprovimin ekzekutiv.

“Përderisa nuk kemi qeveri, nuk e di as nëse kemi mandat për votim, sepse fillimisht duhet votuar qeveria, e më pas nga ajo qeveri të sillet projektbuxheti për votim,” ka thënë ajo për Front Online.

Kadrijaj ka shtuar nuk e di se si do të rrjedhë situata por mbetet të shihet se si do të dakordohen.

“Si do të rrjedhë situata nuk e di, por do të shohim se si do të dakordohemi me kohën’’,  ka thënë deputetja e AAK-së.