Tre vjet burg ish-deputetit socialist për nxjerrjen e sekretit shtetëror
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri shpalli sot fajtor ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja për veprat penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Në bashkim të dënimeve, Çyrbja u dënua me 3 vjet burg, të cilat reduktohen në 2 vjet për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Gjithashtu u shpall fajtor edhe Altin Hajri për veprat penale “korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Tregtim i sekretit shtetëror”, i cili përfundimisht u dënua me 2 vjet burg.
GJKKO shpalli fajtor edhe Ahmet Mashën për veprat penale “Tregtim i sekretit shtetëror” dhe “përkrahje e autorit të krimit”. Masha u dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim.
Sipas SPAK-ut, hetimet zbuluan se Çyrbja kishte marrëdhënie të ngushta me Altin Hajrin (në kërkim ndërkombëtar) dhe se, përmes funksionit të tij publik i ka ofruar favorizime të ndryshme, duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij.
Nga ana tjetër Hajri, në këmbim të këtyre favoreve të siguruara nga Çyrbja, i premtonte këtij të fundit se do t’i siguronte votues për ta mbështetur si kandidat për deputet në Durrës, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. /ATSH