Analistët: Zgjedhjet e reja, opsioni më i mirë pas dështimit të mandatarit
Deri më 5 nëntor do të mundë të shihet se çfarë do të veprohet tutje, pas takimit që do të ndodhë me presidenten e vendit Vjosa Osmani, lidhur me atë se a do të shkojë vendi në zgjedhje apo do të ketë një mandatar tjetër për krijimin e qeverisë. Analistët kosovarë përderisa kërkojnë unitet mes subjekteve politike, ka edhe mendime se kjo legjislaturë nuk mund të prodhojë asgjë.
Kanë mbetur edhe 2 ditë afat kushtetues që presidentja të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të reja apo të mandatojë dikë për të formuar qeverinë e re.
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se pas dështimit të mandatarit të parë, që t’i sigurojë votat në Kuvend për formim të qeverisë, opsioni më i mirë janë zgjedhjet e reja.
“Kjo legjislaturë e dalë nga zgjedhjet e shkurtit nuk prodhon zgjidhje të problemeve dhe nuk prodhon qeveri stabile, prandaj unë mendoj se edhe pas datës 5 nëntor, nuk besoj që edhe kandidati tjetër të bëj 61 numra për një qeveri stabile dhe më pas ose të zgjidhet presidenti në afatet kohore ose të shkohet në zgjedhje të reja", tha Sadik Zeqiri për RTK-në.
Sipas tyre, partitë politike duhet të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë drejtë një qeverie stabile që do ta nxirrte vendi nga kriza institucionale.
“Partitë politike në Kosovë duhet që të bëjnë një zgjidhje që e kërkon interesi nacional, përmes një bashkëveprimi të arsyeshëm sepse do të ishte fort e rëndësishme që të formohej qeveria, të procesohej projektbuxheti i vitit të ardhshëm, të funksionalizohen shumë institucione të tjera që janë peng i mosfunksiomit dhe të përgatitemi pastaj për një fazë të re që me gjasë do të jenë përsëri zgjedhjet”, tha Dorajet Imeri.
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh, sipas afatit kushtetues, rrjedhimisht deri më 5 nëntor.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja pas takimit me presidenten deklaruan se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërsa kreu i LVV-së, Albin Kurti i ka kërkuar presidentes sërish takim para 5 nëntorit.