Kryesuesi i KPK-së i bën thirrje Presidentes ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, nga Konferenca Vjetore e Prokurorit të Shtetit, i ka bërë thirrje Presidentes së Kosovës që të dekretojë kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Hajdaraj tha se Këshilli ka propozuar për herë të dytë kandidatin për këtë pozitë, por Presidentja ende nuk ka vepruar, duke theksuar se mungesa e dekretimit ka krijuar probleme funksionale në sistemin prokurorial.
“Këshilli ka propozuar sërish kandidatin për herë të dytë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit, dhe Presidentja nuk ka vepruar tutje. Mbajtja e pozitës me ushtrues detyre për një kohë kaq të gjatë nuk është pozitive”, tha Hajdaraj.
Ai shtoi se Këshilli vlerëson se një organ nuk mund t’i ushtrojë kompetencat në dëm të një organi tjetër dhe kërkoi reflektim institucional nga ana e Presidencës.
“Nga kjo konferencë i bëjmë thirrje Presidentes së shtetit që të reflektojë dhe të dekretojë propozimin e Këshillit për kryeprokuror të shtetit”, u shpreh Hajdaraj.
Kryesuesi i KPK-së përmendi edhe disa nga arritjet kryesore të sistemit prokurorial gjatë vitit të fundit, përfshirë rekrutimin e prokurorëve të rinj, vlerësimin e performancës së prokurorëve, plotësimin e pozitave administrative dhe zhvillimin e karrierës përmes transferimeve dhe avancimeve./Betimiperdrejtesi