Pacolli: Këta s’bashkëpunojnë me ne sepse kërkojnë poste e terminale, jo ministri
Foto: Laura Hasani

Pacolli: Këta s’bashkëpunojnë me ne sepse kërkojnë poste e terminale, jo ministri

Aktuale October 31, 2025 - 18:21

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se partitë opozitare nuk dëshirojnë të bëhen bashkë me pozitën në qeverisje anise u kanë ofruar bashkëpunim.

Pacolli u shpreh se kërkesat e opozitës për qeverisje është ndarja e terminaleve dhe pasurive shtetërore për çka u shpreh se Vetëvendosje nuk e pranon këtë.

“Vetëvendosje ka provuar që të bëjë marrëveshje me të gjithë, ne i kemi mbajt takime me opozitarët, ne nuk kemi qenë ata që nuk duam bashkëpunim, cili është bashkëpunimi me ju ofru terminale e pasuri pasi këto janë kërkesat e tyre. Marrëveshje politike është kur ulesh e diskuton sa ministri i merr por ne e dim që në të kaluarën këto parti që kanë refuzuar të bëjnë marrëveshje me VV-në. Ka pak kohë kur janë shpërndarë terminale që partitë të votojnë qeverinë. Këto kërkojnë përfitime direkte – nuk është paragjykim ky por është praktikë e këtyre partive. Në bazë të praktikave që i kanë si parti politike atëherë vendimet merren në bazë të përfitimeve të tyre”, u shpreh Pacolli.

“I kemi ofru bashkëpunim edhe NISMA-s edhe LDK-së për dikastere por jo për pasuri të shtetit – ende kemi këso logjike në këto parti politike dhe Vetëvendosje nuk dëshiron të bëjë këtë. Vetëvendosje kërkon që bashkëpunimi të behet në mënyrë të hapura për ndarjen e ministrive, por jo ndarje të aseteve shtetërore – kështu po kërkojnë dhe këtë nuk e bëjmë ne”, tha Pacolli.

Pacolli, mes tjerash, ka folur edhe se a do të jetë sërish Kurti mandatar për kryeministër, por siç tha ajo për këtë do të vendos Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këshilli i VV-së do të vendos për nominimin e Kurtit për herë të dytë si mandatar dhe për këtë duhet të presim mbledhjen e Këshillit që të dimë se a do të ketë emër tjetër a po të mandatohet sërish Kurti”, tha ajo. /dukagjini