Krasniqi: Nga zgjedhjet e reja do ta krijojmë qeverinë e re pa Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Nga zgjedhjet e reja do ta krijojmë qeverinë e re pa Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen

Aktuale October 31, 2025 - 15:06

Kryetari i PDK-së, Memeli Krasniqi, pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani ka thënë se u vërtetua se askush nuk mundet ta krijojë shumicën parlamentare.

“Ajo që është më e rëndësishme në takim është se askush nuk mundet me kriju shumicën e re parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale. Së paku 52 deputetë të përfaqësua nga 4 kryetarë të partive shqiptare dhe disa nga partitë minoritare edhe në takim e kanë bërë të qartë që nuk janë të qartë që nuk janë pjesë e asnjë shumice. Matematikisht e bënë të pamundur arritjen e shumicës parlamentare dhe besoj që kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që edhe presidentja e vendit të vinte në një konkludim të tillë dhe pastaj të veronte në drejtim të shpalljeve të zgjedhjeve që deshtëm apo nuk deshtëm i kemi të imponuar”, tha ai.

Krasniqi tha se PDK-ja konsideron që e diela e parë që është brenda afatit kushtetues duhet të jetë data e zgjedhjeve të ardhshme.

“Shpresoj që më së largu deri e datë 5 të merret vendimi, i cili e përcakton edhe shpalljen e datës së zgjedhjeve. Sa i përket PDK-së, ne konsiderojmë që e diela e parë që është brenda afatit kushtues duhet të jetë edhe data e zgjedhjeve të ardhshme”, tha ai.

Ai tha se Kurti ka kërkuar kohë edhe disa ditë.

“Zoti Kurti na ka humbur 8 muaj të fundit me manipulim e mashtrim. Tash po kërkon edhe disa ditë. Ai në mënyrë të kundërligjshme sipas Gjykatës Supreme është duke vazhduar që të jetë në zyrën e Kryeministrit të Kosovës e duke marrë vendime të cilat nuk janë në pajtim me ligjin duke përfshirë edhe miratimin e projektbuxhetit të sotëm dhe konsideroj që vetëm zgjatja e kësaj situate është arsyeja themelore sepse është e qartë se as në ëndrrat e tij më të mira nuk ai nuk mundet të bëjë shumicën. Për herë të parë këtë ua pata thënë në Kuvendin e Kosovës me 17 prill”, tha ai.

Më tej ai thekson se qeveria e re do të bëhet pa Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.

“Mos u mërzit nuk do të jetë kjo gjendje, do ta krijojmë Qeverinë e re pa Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. Pritshmëritë e PDK-së është me i fitu zgjedhjet e ardhshme dhe po ashtu me udhëheq Qeverinë e Republikës së Kosovës, me pasë një Kuvend funksional me pasë një shumice të mjaftueshme që i jep vendit stabilitet dhe me bë të qartë atë tentim-kërcënimin që zotëri Kurti po ua bënë sidomos partnerëve minoritare që nuk do të ketë zgjedhje në prill. Nëse kemi zgjedhje tash, jam i bindur që këto zgjedhje do prodhojnë stabilitetin për pesë vjet të ardhshme edhe me zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha ndër të tjera.