 
 
							Bajrami: Buxheti i vitit 2026, maskaradë politike në prag të zgjedhjeve
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas miratimit të projektbuxhetit për vitin 2026 nga Qeveria në detyrë e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami thotë se nga 4 miliardë euro buxhet i planifikuar, ka mundësi që të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disafish, sipas saj, në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, transmeton Klankosova.tv.
“Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që ka uzurpuar zyrat e Qeverisë aprovoi sot buxhetin për vitin 2026. Ka mundësi që buxheti i vitit 2026 të shkojë në 8 miliardë e pagat e pensionet të rriten disafish në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka shkruar ajo.
Mes të tjerash, deputetja thotë se Lëvizja Vetëvendosje është duke e çuar shtetin drejt rrënimit, derisa shtoi se Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë “maskaradë”.
“Tash duhet ta ndalim me votë. E do ta ndalim me votë”, shtoi ajo.
 
 
											