Analistët: Presidentja të fokusohet në buxhet, zgjedhjet të pashmangshme
Foto: Laura Hasani

Analistët: Presidentja të fokusohet në buxhet, zgjedhjet të pashmangshme

Aktuale October 30, 2025 - 21:39

Pas zhvillimeve të fundit politike, përgjegjësia për hapat e ardhshëm i takon presidentes, Vjosa Osmani, e cila duhet ta udhëheqë procesin drejt zgjidhjes së krizës, vlerësojnë njohësit e politikës.

Sipas njohësve të politikës pasi që PDK dhe LDK e kanë bërë të qartë se nuk i kanë numrat dhe nuk e duan mandatin, ndërsa edhe VV nuk i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë, presidentja duhet të përqendrohet në miratimin e buxhetit dhe në krijimin e mundshëm të një ekipi që do ta hartonte një buxhet provizor për disa muaj, për ta shmangur bllokadën dhe kaosin financiar.

"Presidentja do të duhet të fokusohet në 2-3 pika që mund të realizohen, siç është miratimi i buxhetit. Edhe pse ka kontestime që qeveria në detyrë nuk e ka të drejtën e propozimit, nuk e përjashtoj mundësinë që nuk do të ishte keq që ajo të tubojë një numër teknokratësh të cilët do të komunikonin më të gjitha partitë politike të bënin një buxhet provizor për 3-4 muaj, që do të ishte buxhet  njëvjeçar por që do të ridizajnohej pas zgjedhjeve të ardhshme dhe do të ishte e pranueshme për të gjitha partitë politike në mënyrë që të mos lejohej bllokada dhe kaosi financiar i Kosovës", tha politologu Milazim Koci.

“Presidentja do të duhej të fokusohet në këtë pikë, ndryshe mendoj që nëse tenton që të humbas kohë rreth krijimit të ndonjë qeverie qoftë teknike, qoftë tjetër mendoj që është vonë. Ka qenë zgjidhje por tani është vonë, tani duhet shpëtuar atë çfarë duhet të shpëtohet, ajo është miratimi i buxhetit sa më shpejtë e sa më parë brenda pak ditësh", shtoi ai.

Politologu Koci vlerëson se për formimin e një qeverie teknike tashmë është vonë dhe se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme, me gjasë do të mbahen në dhjetor.

Ndërkaq, profesori universitar Dorajet Imeri, ka theksuar se takimi i nesërm në presidencë pritet të konfirmojë pamundësinë për formimin e qeverisë. Ai tha se e vetmja zgjidhje është shkuarja në zgjedhje sa më shpejt, ndërsa çështja e kompromisit politik mbetet për qeverinë e ardhshme dhe shumicën e re parlamentare.

Sipas tij, nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor, ato mund të certifikohen në mesin e shkurtit dhe Kuvendi i ri mund të mblidhet në fund të atij muaji, duke e konsideruar këtë si skenarin optimal për rilegjitimimin e forcave politike në vend.

"Kjo mbetet çështje për qeverinë e ardhshme për shumicën e re parlamentare që t'i drejtohet kuvendit me projektligj dhe kjo duhet të bëhet jo me larg se në marsin e vitit të ardhshëm, në projeksionet aktuale se çfarë po përllogarisim nëse zgjedhjet do të mbahen në dhjetor pastaj do të mund të certifikohen në mesin e shkurtit për të thirr seancën e parë jo më larg se javën e katërtë të muajit shkurt. Pak a shumë kjo do të jetë skenari optimal i gjithë procedurës së rilegjitimimit të partive politike", tha ai.

Aktualisht si e vetmja zgjidhje e situatës politike, sipas njohësve politikë, janë zgjedhjet por pas zgjidhjes së bllokadës së buxhetit. /rtk