Kanalet proruse në Telegram si “armë informative” kundër Kosovës
Kanale të shumta në Telegram që prezantohen si “zëri i Rusisë në Serbi” ose përdorin simbole ruse, si flamurin, fokusohen kryesisht te Kosova.
Aty promovohen mesazhe që delegjitimojnë institucionet e Kosovës, mohojnë pavarësinë e saj dhe shpesh nxisin retorikë radikale, përfshirë thirrje për ndërhyrje ushtarake.
Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve shfaqet pothuajse në çdo postim që lidhet me Kosovën.
Shumica e këtyre kanaleve u krijuan pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe sot kanë nga 10.000 deri mbi 80.000 ndjekës, të cilët marrin dhe shpërndajnë përmbajtje çdo ditë.
Postimet janë qartazi pro Rusisë, mbështesin pushtimin e Ukrainës, kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në BE dhe kritikojnë bashkëpunimin me vendet perëndimore.
Viteve të fundit, sidomos në mjedisin rus, Telegrami është bërë jo vetëm një aplikacion mesazhesh, por edhe një rrjet për përhapjen e përmbajtjes politike dhe propagandistike, falë enkriptimit dhe anonimitetit të përdoruesve.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se Moska zyrtare i përdor kanalet në Telegram si “armë informacioni”.
Ajo thotë se këto kanale përbëjnë një kërcënim që qytetarët e zakonshëm nuk mund ta shohin, ndiejnë apo prekin - dhe për këtë arsye, në pamje të parë, postimet në këtë rrjet duken si teori konspirative.
Stradner nënvizon se perceptimi ka rol kyç, pasi rrjetet sociale mundësojnë formësimin e bindjeve të njerëzve, “në funksion të arritjes së objektivave të sigurisë”.
Përndryshe, krijimi në masë i kanaleve të Telegramit që trajtojnë temën e Kosovës, përkoi me rritjen e tensioneve në veri të vendit, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet kosovare në nëntor të vitit 2022.
Atëkohë, Qeveria e Kosovës këmbëngulte në zbatimin e vendimeve që kryesisht kishin të bënin me konsolidimin e pushtetit në atë rajon, ku popullsia shumicë është serbe.
Një tjetër karakteristikë e përbashkët e kanaleve proruse në Telegram, që publikojnë përmbajtje rreth Kosovës, është veprimi i tyre i koordinuar, d.m.th. ato veprojnë si një rrjet i vetëm për përhapjen e një narrativi të caktuar.
Kështu, më 29 tetor, kanali “Bunker” në Telegram njoftoi se në Mitrovicë të Veriut janë shfaqur grafite të reja: “Kosova është Serbi”, “Serbët dhe rusët janë vëllezër përgjithmonë Z”, “Nuk ka dorëzim”.
Brenda disa minutash, këtë postim e shpërndanë edhe kanalet “Srpska Sparta-Info”, “Bunt je stanje duha”, “Koridor” dhe “Code 17”, të cilat së bashku kanë mbi 130.000 përdorues.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmonte këtë informacion në Policinë e Kosovës.
Postime për Kosovën në gjuhën serbe publikojnë edhe kanalet: “Hrabro za Kosmet”, “Slovenski medved”, “Uz svoj narod” e të tjera.
Ka, gjithashtu, edhe kanale në gjuhën ruse që publikojnë lajme për Kosovën, si “ë - LIVE” (Serbia Live), “ë ë” (Rusia e Madhe) dhe “ë ë” (Gazeta Serbe).
Cilat janë narrativët kryesorë?
Një nga narrativët kryesorë të kanaleve proruse në Telegram që publikojnë lajme rreth Kosovës, është paraqitja e pjesëtarëve të komunitetit serb si “viktima të terrorit” nga autoritetet e Kosovës.
Aty delegjitimizohen edhe institucionet e Kosovës, të cilat shpesh quhen me terma përçmues për shqiptarët.
Për shembull, kanali “Bunker” postoi më 28 tetor lajme rreth ndërtimit të një shkolle në Mitrovicën e Veriut, duke shkruar:
“Terroristët 'shiptarë' [ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal] Sveçla dhe [kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden] Atiq vendosën sot gurthemelin për një shkollë tjetër 'shiptare' në pjesën veriore të Mitrovicës”.

Po atë ditë, kanali “Koridor” publikoi lajme rreth stërvitjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës në poligonin e stërvitjes pranë Gjakovës, por me gjuhë të urrejtjes.
“Terroristët 'shiptarë' dhe terroristët e NATO-s zhvilluan stërvitje ushtarake së bashku në Gjakovë”, thuhej në postim.
Përndryshe, kanali “Koridor” është përdorur më parë edhe nga “Brigada e Veriut”, e cila së bashku me “Mbrojtjen Civile” janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës në qershor të vitit 2023.
Atëkohë, në këtë kanal u bë e ditur se kjo nuk do t’i pengojë të luftojnë “për serbizmin dhe unitetin”, por se, për arsye sigurie, nuk do të informojnë më publikisht për veprimet e tyre.
Thirrjet për linçim
Një nga narrativët në kanalet në Telegram është emërtimi i pjesëtarëve të komunitetit serb që janë të punësuar në institucionet e Kosovës, ose që, në njëfarë mënyre, promovojnë bashkëjetesën.
Në fund të qershorit, në kanalin “Koridor” u publikua një deklaratë e një punonjësi të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, i cili foli publikisht për presionet që përjetonte, pasi nuk pranoi të largohej nga pozita e tij gjatë largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në nëntor të vitit 2022.
Në postim ai u përshkrua si “spiun shqiptar, të cilit i është ofruar të punonte në ndonjë nga institucionet e Serbisë”, por se “ai zgjodhi të qëndronte dhe të punonte për institucionet shqiptare, pasi, përveç pagës, merrte edhe bonus për spiunazh”.

Në të njëjtin kanal, edhe avokati serb, Ivan Niniq, u përshkrua si “avokat i paguar nga [kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti”, i cili mbron serbët që janë bashkëpunëtorë të tij, përfshirë Dragan Nikolliqin nga Leposaviqi. /REL
Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU: