Rubin: Dënimi i Thaçit dhe të tjerëve do të ishte një tragjedi për Kosovën dhe drejtësinë ndërkombëtare
Ish-ndihmës sekretar i Shtetit të SHBA-së, James Rubin, ka komentuar procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për Atlantic Council, Rubin ka thënë se lutet që Gjykata Speciale të mos nxjerrë një vendim dënues, pasi një gjë e tillë do të ishte e tmerrshme për Kosovën dhe do të kishte pasoja afatgjata për drejtësinë ndërkombëtare.
Ai theksoi se një dënim pa prova do të përbënte një njollë të rëndë për sistemin juridik ndërkombëtar dhe do të dëmtonte gatishmërinë e ardhshme për krijimin e tribunaleve të ngjashme.
“Lutem që kjo të mos ndodhë. Kjo do të ishte një tragjedi e vërtetë për njerëzit që luftuan dhe shumë prej tyre dhanë jetën për liri, për përfaqësuesit e miliona shqiptarëve të Kosovës që të shpallen fajtorë pa asnjë provë… do të ishte një njollë e tmerrshme për sistemin ndërkombëtar juridik. Dhe mendoj se do të dëmtonte për një kohë të gjatë gatishmërinë për të krijuar ndonjëherë sërish një tribunal ndërkombëtar si ky,” tha Rubin.
Rubin, i cili ka shërbyer si zëdhënës i Departamentit të Shtetit gjatë viteve të luftës në Kosovë, kujtoi se ka punuar ngushtë me Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, por tani ndjehet i lirë të flasë hapur për këtë çështje.
Rubin gjatë dëshmisë në Hagë në shtator, përmendi shumë gjëra që pasqyronin realitetin e luftës së pastër të UÇK-së
Po ashtu, ditë më parë është konfirmuar se gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, do të dëshmojë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Mbrojtja e Thaçit njoftoi se Clark ka marrë autorizimin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në mbrojtjen e Thaçit, i cili së bashku me tre ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po gjykohen në qytetin holandez për krime lufte.
Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.
Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.
Ajo pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.
Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.
Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.
Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve./Telegrafi