AGK: Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër TV Dukagjinit, t’i tërheqin urgjentisht akuzat

AGK: Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër TV Dukagjinit, t’i tërheqin urgjentisht akuzat

Aktuale October 29, 2025 - 12:35

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj Faton Pecit, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka hedhur akuza të rënda ndaj televizionit Dukagjini, duke e quajtur “qendër operative të ndërmarrjes kriminale”.

AGK-ja e konsideron komunikimin e Pecit si thellësisht të papërgjegjshëm dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm.

“Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë politike që përfaqëson”, thuhet në njoftim.

Komunikata e plotë e AGK-së:

“Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër TV Dukagjini

Kandidati i partisë politike Vetëvendosje për komunën e Mitrovicës Jugore, Faton Peci ka vazhduar sulmet e ulëta dhe të papranueshme kundër TV Dukagjinit, nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale.

Duke iu kthyer Exit-Pollit të 12 tetorit, Peci e ka quajtur mes tjerash TV Dukagjinin si “qendra operative e ndërmarrjes kriminale”.

AGK-ja e konsideron komunikimin e Pecit si thellësisht të papërgjegjshëm, dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm. Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë politike që përfaqëson.

AGK-ja kërkon nga zoti Peci dhe Vetëvendosja që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme ndaj tyre.

Ambienti i mediave për të bërë punën e tyre është vështirësuar shumë, për shkak të retorikës së papranueshme si kjo e zotit Peci.

Mediat duhet të lihen të lira të raportojnë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”.