I rrahu dhe mbylli vocërrakët, suspendohet edukatorja në Podujevë
Foto: Laura Hasani /Ilustrim

I rrahu dhe mbylli vocërrakët, suspendohet edukatorja në Podujevë

Aktuale October 28, 2025 - 20:34

Grushtet ua dha në klasë, e edhe gojën tentoi t’ua mbajë të mbyllur brenda saj.

Për ta fshehur këtë akt të 21 tetorit në shkollën “Shaban Shala” në Podujevë, mësimdhënësja dyshohet se edhe i la të mbyllur brenda një dhome arsimore për një kohë.

Tmerrin e përjetuar nga fëmijët, prindërit ia rrëfyen Klanit veç në kushte anonime, me arsyetimin e frikës së hakmarrjes.

Pasojat e përjetimeve të nxënësve, të cilëve mësimdhënësja e dyshuar as nuk ju jepte mësim, çuan në zbulimin e rastit nga prindërit.

Për tmerrin që përjetuan fëmijët e pranojnë në shkollë, por nuk japin asnjë detaj më shumë.

Veçse rasti nuk u hesht më, e prindërit tashmë kanë lajmëruar organet e rendit ku edhe kanë dhënë deklaratat e tyre, pas së cilave edhe u morën masat e para për mësimdhënësen.

Klan Kosova ka tentuar që të marrë edhe versionin e mësimdhënëses së dyshuar, por e njëjta nuk është përgjigjur në shkrimet e televizionit.

Për veprimet e ndërmarra nuk kanë dhënë informacione as në Polici e as në Prokurori, ku tashmë ka shkuar rasti.