Presidentja do të kërkojë kompromis politik në konsultat me partitë
Foto: Laura Hasani

Presidentja do të kërkojë kompromis politik në konsultat me partitë

Aktuale October 28, 2025 - 18:10

Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm dhe pa miratuar disa marrëveshje ndërkombëtare që sjellin miliona euro fonde.

Në mënyrë që kjo mos të ndodhë, presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të luajë rolin e saj.

“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, ka thënë Kupina.

Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka thënë për Dukagjinin se Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të vendit.

Ky reagim i Presidencës erdhi pak minuta pasi 21 organizata të shoqërisë civile iu drejtuan Osmanit me një letër publike.

Përmes saj, ato kërkuan nga Presidentja që t’i ftojë partitë parlamentare që të gjejnë zgjidhje pikërisht miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjeve me Bashkimin Evropian për fondet nga Plani i Rritjes (Pamje te Kuvendit jashtë).

“Një hap i tillë, përveçse do të shmangte rrezikun e një krize buxhetore të paprecedentë, do të sillte edhe qetësi e siguri më të madhe për qytetarët, sidomos për ata dhe ato që varen nga pagat dhe transferet publike, duke i shpëtuar nga ndjenja e ankthit dhe pasigurisë ekonomike gjatë periudhës zgjedhore. Një stabilitet i tillë financiar dhe institucional do të ishte thelbësor edhe për mbarëvajtjen e procesit demokratik, duke u mundësuar qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në mënyrë të lirë, dhe pa ndjenja presioni ekonomik apo pasigurie për të ardhmen”.

Gjatë së martës, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapa për të shqyrtuar mundësitë ligjore që të adresohet situata e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Televizioni ka mësuar nga burime se për këtë çështje, ka pasur një ftesë drejtuar deputetëve për takim, por zyrtarisht nga kjo parti, nuk janë bërë të ditura rezultatet.

Konsultat e presidentes Osmani me partitë politike, fillimisht pritet që të zhvillohen për të konfirmuar nëse ndonjëra prej tyre është e interesuar të marrë mandatin për formimin e Qeverisë, pasi Lëvizja Vetëvendosje dështoi të dielën ta bëjë një gjë të tillë.