Krasniqi: Qeveria në detyrë nuk mund ta propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re
Albert Krasniqi, nga Demokracia Plus, ka thënë se Qeveria në detyrë nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.
Sipas tij, Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë, raporton Zeri.info.
Postimi i plotë:
Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë projektligjin për buxhetin vjetor për legjislaturën e re.
Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë.
Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar.
Çdo shmangie nga kjo procedurë është shkelje e qartë e Rregullores. Neni 123 lejon vetëm shmangie nga afatet procedurale, por jo nga veprimet thelbësore si shqyrtimi në komisione apo propozimi nga qeveria legjitime.
Duhet bërë qartë dallimi mes qeverisë në dorëheqje dhe qeverisë në detyrë:
– Qeveria në dorëheqje është ajo që gjatë mandatit të saj, pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit, vazhdon të ushtrojë funksionet deri në formimin e qeverisë së re, duke pasur ende Kuvend funksional, komisione të themeluara dhe kanale komunikimi Qeveri – Kuvend.
– Ndërsa qeveria në detyrë është qeveri e zgjedhur nga legjislatura paraprake, që nuk ka lidhje institucionale me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet.
Sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në dorëheqje mund të propozojë projektligjin për buxhetin, ndërsa kjo e drejtë nuk i njihet qeverisë në detyrë.
Respektimi i procedurave nuk është formalitet – është thelbi i ndarjes së pushteteve dhe i funksionimit demokratik të institucioneve.