Shfuqizohet neni i Udhëzimit Administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar
Foto: Laura Hasani

Shfuqizohet neni i Udhëzimit Administrativ që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

Aktuale October 28, 2025 - 14:30

Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Gjykatës.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve: L.S., N.Q.,T.S., dhe S.M., të paraqitur kundër të paditurës: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), dhe ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar Nenin 14.A, par. 1, nënpar. 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2025 (MPMS) për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2012 për Procedurat e Aplikimit në Skemën e Pensioneve dhe Beneficioneve të Përcaktuara në Ligjin Nr. 04/L-054 për Statutin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, Ligji Nr. 04/L-172 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-054 për Statutin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre, dhe me Ligjin Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më datë 09.10.2015”, thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme, gjatë shqyrtimit të Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

“Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik.

Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar Nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: ‘Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor’”, thuhet në njoftim.

Nga interpretimi i kësaj dispozite, Gjykata vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.

Kësisoj, e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

“Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani ‘nuk është në marrëdhënie pune’, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor”, thuhet tutje.

Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit.

Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në Nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore. Mos ndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr. 01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14. A, paragrafi 1.5, e Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj”, thuhet ndër të tjera.