Edi Rama reagon sërish për mbajtjen në paraburgim të ish-presidentit Thaçi në Hagë
Foto: Laura Hasani

Edi Rama reagon sërish për mbajtjen në paraburgim të ish-presidentit Thaçi në Hagë

Aktuale October 28, 2025 - 11:07

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me mbajtjen në paraburgim të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, të shoqëruar me fotografinë e Thaçit me gjeneralin Wesley Clark, Rama thekson se shteti i ri dhe sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, por nga gjaku i Ushtrisë Çlirimtare.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”, shkruan Rama.

Ai shton se mbrapa hekurave të kësaj “padrejtësie ulëritëse”, disa tifozë të verbuar, siç i quan ai, e trajtojnë Thaçin si armik politik dhe shpresojnë që të mos dalë kurrë nga paraburgimi.

“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin e trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik dhe urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, përfundon Rama.

Ndryshe, gjenerali amerikan Wesley Clark, është konfirmuar zyrtarisht se do të jetë dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë.

Sipas dokumenteve zyrtare, mbrojtja e Thaçit ka kërkuar që dëshmia e gjeneralit amerikan të fillojë më 19 nëntor.