Gjeneralmajori i KFOR-it takohet me ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi
Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, u takua me ministrin e mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviq, dhe shefin e mbrojtjes, gjeneral brigadier Miodrag Vuksanoviq, në Ministrinë e Mbrojtjes në Podgoricë.
Gjatë takimit u diskutua situata e sigurisë në Kosovë dhe kontributi i vazhdueshëm i KFOR-it në stabilitetin rajonal. Gjeneralmajor Ulutash vlerësoi mbështetjen e qëndrueshme të Malit të Zi ndaj misionit të KFOR-it dhe profesionalizmin e personelit malazez të vendosur në KFOR, njofton zyra për informim e këtij misioni.
KFOR-i tutje shton se vazhdon të zbatojë mandatin e tij dhe të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe lirinë e lëvizjes, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si garantë të sigurisë.