Muhaxhiri: Paaftësia për të krijuar shumicë, pasqyrë e krizës së thellë politike në Kosovë
Analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se dështimi për formimin e qeverisë së re përbën një ofendim të klasës politike ndaj qytetarëve të Kosovës.
Në një intervistë për Ekonominë Online, ai ka thënë se paaftësia e partive për të siguruar një shumicë të thjeshtë tregon mungesë përgjegjësie ndaj popullit dhe krizave me të cilat po përballet vendi.
“Ajo që ndodhi (në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë së re) ishte ofendim i klasës politike ndaj qytetarëve të Kosovës. Paaftësia e tyre për të krijuar një shumicë të thjeshtë është jashtëzakonisht zhgënjyese dhe flet shumë për raportin që ata kanë me qytetarët dhe me nevojat, kërkesat e qytetarëve, me problemet, me krizën e jashtëzakonshme ekonomike me të cilën është duke u përballur populli i Kosovës”, tha ai.
Muhaxhiri ka paralajmëruar se pasojat e mosformimit të qeverisë do të jenë të shumta dhe të ndjeshme në shumë fusha, duke theksuar se situata aktuale po dëmton imazhin dhe funksionimin institucional të shtetit.
“Pasojat nga mos themelimi i qeverisë janë të shumta në dimensione të ndryshme, do të ketë pasoja politike, ekonomike, për imazhin e Kosovës, pasoja në stagnimin e jetës institucionale, në pamundësimin e marrjes së fondeve për zhvillim. Kryesore është në transmetimin e një porosie se politikanët kosovarë janë të paaftë që të bëjnë edhe një koalicion më të thjeshtë për ta pasur një shumicë prej 61 deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Duke komentuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, Muhaxhiri e ka quajtur absurde mbajtjen e katër palë zgjedhjeve brenda një viti, duke e cilësuar këtë si tregues të kulturës së dobët politike dhe mungesës së vetëdijes institucionale.
“Mbajtja e katër palë zgjedhjeve brenda një viti është absurde sepse nuk ka asnjë nevojë për një gjë të tillë, ky është vetëm indikator i qartë i mënyrës me të cilën operojnë politikanët kosovarë, kulturës së tyre politike, mungesës së ndërgjegjes, moralit politik sepse nëse kaq shumë kohë humbet në mbajtjen në procese zgjedhore kjo me automatizëm nënkupton që nuk ka kohë për t’u marrë me projekte zhvillimore, me ekonomi, me përmirësim të sistemit institucional të Kosovës, me avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, është një humbje e madhe në të gjitha nivelet e mundshme”, tha ai.
Ai ka theksuar gjithashtu se hendeku i thellë ndërmjet partive politike është bërë pengesë e madhe për formimin e institucioneve, duke treguar mungesë vullneti dhe kreativiteti për bashkëpunim politik.
“Hendeku mes partive politike është shumë i madh, jo vetëm në raport me VV-në si fituese e zgjedhjeve por edhe ndërmjet vetë opozitës, ky është absurditeti më i theksuar. Askush me askënd nuk është i gatshëm që të bëjë koalicion, që të bëjë marrëveshje, nuk ka vullnet politik, nuk ka guxim, nuk ka sens, nuk ka kreativitet, gatishmëri që të bëhen bashkëpunime mes partive politike për të arritur themelimin e qeverisë së Kosovës, sepse sistemi politik i Kosovës është i tillë që imponon bashkëpunime dhe në momentin që nuk ka bashkëpunim nuk ka as themelim të institucioneve”, tha ai.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës më 26 tetor, kryeministri në detyrë dhe mandatar për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, nuk arriti t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet. Ai mori 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime.
Tani i takon presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit të vendosë për hapat e mëtejmë, ndërsa partitë opozitare PDK-ja dhe LDK-ja kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare si zgjidhje për stabilitetin politik në vend.