Haradinaj uron Austrinë për Ditën Kombëtare: Ka qenë mike e fuqishme e Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Austrinë me rastin e Ditës Kombëtare, duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se në shënimin e ditës së tyre ka uruar të Ngarkuarën me Punë në ambasadën austriake në Prishtinë, znj. Clarissa Castek, për të arriturat e shtetit të saj dhe ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës, raporton Klankosova.tv.
“Austria, historikisht ka qenë mike e fuqishme e Kosovës dhe ne jemi të përkushtuar që ta ruajmë dhe avancojmë çdo herë e më shumë këtë traditë të shkëlqyeshme të marrëdhënieve bilaterale.
Sonte, në shënimin e Ditës Kombëtare të Austrisë, urova të Ngarkuarën me Punë në ambasadën austriake në Prishtinë znj. Clarissa Castek për të arriturat e shtetit të tyre dhe shpreha mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe dhënë vendit tonë në rrugën shtetndërtuese dhe integruese.
Gjithë popullit austriak, urime Ditën Kombëtare!”, ka shkruar Haradinaj.