Kurti paralajmëron zgjedhje parlamentare edhe në dhjetor, edhe në pranverë
Foto: Laura Hasani

Kurti paralajmëron zgjedhje parlamentare edhe në dhjetor, edhe në pranverë

Aktuale October 27, 2025 - 18:07

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me zgjedhje parlamentare dy herë brenda muajsh, një ditë pasi dështoi ta fitojë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për mandatin e tretë.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Kurti tha çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit në pranverë mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje.

“Mbase është për të ardhur keq që do të mundë të kemi, përveç balotazhit [të zgjedhjeve lokale në nëntor], dhe dy herë zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër, edhe zgjedhje në pranverë”, tha Kurti në një konferencë për media në Prishtinë.

Presidentes Vjosa Osmani i mbaron mandati në prill të vitit 2026.

“Sepse, kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do t’i bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi edhe katër muaj deri në zgjedhjen e presidentit”, theksoi ai.

Presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej Kuvendi. Në rast se kandidati nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.

Në rast se nuk zgjidhet as në rundin e tretë, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja./REL