Bajqinovci: Përveç Kurtit, LVV-ja s’do të ketë propozim tjetër te presidentja për formimin e qeverisë
Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, tha për RTV21 se nuk do të ketë një propozim tjetër nga Vetëvendosja për t’u mandatuar nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e qeverisë së re. Sipas tij, Albin Kurti është fitues i zgjedhjeve dhe i mandatuari i vetëm.
Duke akuzuar partitë e tjera shqiptare që nuk e votuan formimin e qeverisë “Kurti 3”, tha se gjasat janë reale që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Për qeveri tjetër ne nuk ka gjasa dhe nuk ka mundësi për shkak se dihet se mandatar është kryeministri Kurti. Më nuk ka pazare të tilla sikurse përpara me terminale doganore, në të cilat vendoseshin njerëz me nga 5 deputetë. Populli e ka dhënë verdiktin dhe kryeministri Kurti është më i votuari dhe i ka 48 deputetë, së bashku me minoritetet jo serbe i kemi 56 deputetë. Por fatkeqësisht LDK-ja na i mbylli dyert dhe nuk deshti që as ta konstituojë Kuvendin dhe as formimin e qeverisë. Nuk e di nëse do të shkojmë në takim te presidentja, sepse këtë e vendosin organet e partisë”, tha Bajqinovci.