Zgjedhjet e parakohshme, Elezi: Organizimi i tyre brenda një periudhe të shkurtër, sfidë për KQZ-në
Zgjedhjet e parakohshme në një periudhë përbëjnë sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo pas dështimit të mandatarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit për të marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, pritet të sjellë zgjedhjet e dyta parlamentare brenda vitit 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se aktualisht janë të angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale, por mbetën të përkushtuar për të përmbushur detyrimet kushtetuese nëse do të ketë edhe një proces të ri zgjedhor në këtë vit.
“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar në përmbylljen e procesit të Zgjedhjeve Lokale dhe përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Ashtu siç kemi thënë çdoherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet i përkushtuar për të përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore, në çdo moment kur një proces zgjedhor shpallet në mënyrë zyrtare”, tha Elezi.
Sipas Elezit, organizimi i një procesi të ri zgjedhore brenda një periudhe kaq të shkurtër përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin.
“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ-ja, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, tha Elezi për EO-në.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës më 26 tetor, Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar qeverinë e re, nuk arriti t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet. Ai gjatë seancë së djeshme mori 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime.
Tani i takon presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit që të vendosë për hapat e mëtejmë.
Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s’kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.